Cakaj – Roth: Gjermania ka gjithë vullnetin të mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit

TIRANË, 13 mars/ATSH/ – “Gjermania ka të gjithë vullnetin e mirë të vijojë të asistojë Shqipërinë dhe si dashamirës i përhershëm i Shqipërisë, shpresoj për një vendim pozitiv në qershor 2019”.

Kështu deklaroi me ministrin gjerman i Shtetit për Çështje Europiane, Michael Roth, në takim me ministrin në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin.

Bashkëbiseduesit vlerësuan partneritetin e ngushtë në funksion të forcimit të lidhjeve BE-Shqipëri për të cilin ministri Roth u shpreh se perspektiva europiane e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet kryesore të Gjermanisë.

Roth theksoi se Shqipëria është faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon dhe vendi duhet të vijojë punën e mirë të bërë deri tani me reformat e ndërmarra në lidhje me pesë prioritetet.

“Procesi i Vetingut në Drejtësi është një reformë e jashtëzakonshme”, tha ministri Roth.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm në Detyrë Cakaj, nënvizoi se Shqipëria dëshiron të intensifikojë bashkëpunimin me Gjermaninë si partner, në përmbushjen e të gjitha detyrave që i janë caktuar për t’u integruar në familjen europiane.

Kryediplomati shqiptar Cakaj shprehu mirënjohjen e tij ndaj ministrit Roth, për mbështetjen dhe vullnetin pozitiv që ai personalisht dhe qeveria gjermane kanë treguar në çdo hap të rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-​së. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.