Pacolli fton biznesmenët amerikanë të investojnë në Kosovë

PRISHTINË, 12 mars /ATSH/ – Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot priti një delegacion të bizneseve amerikane, të cilat kanë shprehur interesim për eksplorimin e ekosistemit të teknologjisë informatike dhe të inovacionit në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësitë e tjera të investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik.

“Biseduam për një sërë temash, ku ua shpjegova potencialin që Kosova ka për zhvillim dhe hapësirën që u ofrohet bizneseve të huaja për investime, si dhe folëm për sistemin e taksave që është shumë i avancuar”, deklaroi Pacolli.

Ai potencoi faktin që Kosova vazhdon të mbetet një nga vendet në të cilin bizneset ruse dhe kineze nuk kanë arritur të hyjnë, e kjo, sipas tij, i jep avantazh bizneseve perëndimore.

“Po ashtu, u fokusuam tek potenciali njerëzor që Kosova ofron, me një rini të shkolluar dhe të gatshme për tregun e punës, gjë për të cilën delegacioni i bizneseve amerikane e vlerësoi si një element kyç për këdo që dëshiron të investojë në Kosovë”, vijoi kryediplomati kosovar.

Sipas Pacollit, Kosova dita-ditës po merr vëmendjen e bizneseve të huaja si një vend i cili ofron mundësi të pafundme për investime, prandaj institucionet duhet t’i fusim të gjithë mekanizmat në funksion, në mënyrë që këta investitorë t’i konkretizojnë planet e tyre./KosovaPress//e.malaj/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.