Ministria e Shëndetësisë në protestën e mjekëve: Dhuna, e papranueshme

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Mjekët specializantë janë mbledhur sot para urgjencës së QSUT-së në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar ndaj bluzave të bardha.

Zv/ Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli ishte e pranishme në krah të mjekëve nga ku deklaroi se “propozimi ynë është që të ashpërsohen dënimet për agresorët e mjekëve”.

“Jam këtu në emër të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu për të protestuar krah mjekëve sepse për ne është e papranueshme dhuna ndaj bluzave të bardha! Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për veprimet e dhunshme që kanë ndodhur ditët e fundit ndaj mjekëve, dikush kërkon vaksinë në ambientet e urgjencës dhe familjarët kanë reaguar me dhunë fizike ndaj mjekut dhe nuk i është mohuar shërbimi, apo rasti tjetër që është referuar në një spital tjetër. Nuk është dhuna zgjidhja. Ne jemi të vendosur dhe krah mjekëve për t’i mbrojtur ata”.

Rakacolli është shprehur se Ministria e Shëndetësisë do të marrë të gjitha masat për të ndryshuar këtë situatë.

”Regjimi i ri në spitale është një ftesë e hapur për të nisur ndryshimin e situatës. Sepse sistemi i orareve të vizitave dhe mos lejimi i familjarëve të pacientit në urgjencë, do t’i mundësojë mjekëve të bëjnë më mirë punën e tyre dhe pacienteve të marrin shërbimin që duhet të marrin. Ne jemi të vendosur ta zbatojmë deri në fund”, deklaroi Rakacolli.

Duke theksuar nismën e Ministres për ndryshimin e kodit penal, Rakacolli tha, ”nisma e ndërmarrë nga ministrja Manastirliu për ashpërsimin e masave për dhunuesit e mjekëve – për ndryshimin e kodit penal që i vendos një mbrojtje të posaçme bluzave të bardha, është një tjetër masë në drejtim të mbrojtjes së mjekëve. Por edhe riorganizimi i shërbimit të sigurisë nga çdo spital do të jetë një masë e shtuar”, u shpreh Zv/ Ministrja.

Në fund, zv/Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv.

”Si ministri jemi pa dyshim dhe në krah të qytetarëve dhe i nxisim të denoncojnë dhunën. Dhuna ndaj mjekëve, është e papranueshme dhe e dënueshme”, tha Rakacolli.

”Duhet të ketë një paketë ligjore të plotë. Të gjithë ata që tentojnë të ngrenë dorë kundër mjekut të marrin dënimin e merituar sipas ligjit”, u shpreh një nga mjekët.

”Ne duam të dalim me disa kërkesa që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave tona, si përshembull vendosja e një poste policore.Gjithashtu duhet të merret dënimi maksimal i atij që kanos një mjek. Kërkesat tona do rivijnë javës tjetër me disa ide të qarta për të ndihmuar dhe strukturat drejtuese ku të kenë mundësi ti referohen kërkesave tona”, tha një tjetër mjekë protestues.

Mjekët do dalim me një platformë të qartë me disa pika që do i drejtohen qeverisë ku një nga këto pika do jetë siguria në punë, kushtet e punës dhe më pas do negociohet dhe për rrogën.

Pavarësisht nga protesta mjekët janë kujdesur që në asnjë moment shërbimi i urgjencës të mos ndaloj. Urgjenca aktualisht funksionon me kohë të plotë, dhe në çdo shërbim ka nga një mjekë pra shërbimi në QSUT funksionon normalisht. Prandaj protesta është planifikuar nga mjekët të zhvillohet nga ora 9 deri në 10 për të mos penguar fluksin e punës.

Gjithashtu dhe mjekët në spitalin e Shkodrës protestuan duke kërkuar ashpërsimin e ligjit kundër atyre që sulmojnë bluzat e bardha dhe kërkuan që njerëzit të mirëkuptojnë punën e tyre. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.