Meta në shkollën profesionale në Rrëshen: Gjithçka për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – “Duhet të bëjmë çdo gjë për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri, sepse ata janë pasuria më e madhe e vendit”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Rrëshen, ku u mikprit nga Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë Imzot Charles John Brown, autoritetet vendore e dhjetëra qytetarë.

Presidenti Meta vizitoi shkollën e mesme profesionale jopublike “Shën Jozef Punëtor” dhe u takua përzemërsisht me nxënësit e mësuesit, duke theksuar rëndësinë e shkollimit e të përfitimit të dijeve, ruajtjes e pasurimit të vlerave dhe traditave më të mira të Mirditës, si dhe zhvilloi një takim me këshillin e mësuesve.

Kreu i shtetit shqiptar, i shoqëruar nga Drejtori At Mikele Leovino vizitoi konviktin, palestrën dhe laboratorët mësimorë duke përshëndetur dhe takuar përzemërsisht nxënësit dhe mësuesit e shkollës ‘Shën Jozef Punëtor’.

Në fjalën e Tij me të këtë rast, Presidenti Meta, pasi u shprehu falënderimet për mikpritjen, theksoi mes të tjerash se, “arsimi profesional është tepër i rëndësishëm dhe zhvillimi dhe shtrirja e tij duhet të jetë përparësi reale në të gjithë vendin. Investimi në fushën e arsimit profesional merr një rëndësi shumë të madhe, sepse nëpërmjet tij ne u mundësojmë të rinjve të integrohen sa më shpejt në tregun e punës”.

Veçanërisht, theksoi Meta, “të rinjtë e zonave më të thella, nëpërmjet këtij formimit profesional, aftësohen gjithashtu jo vetëm për t’u futur në tregun e punës, por aftësohen edhe për të vënë në punë resurset më të mira të zonave dhe të rajoneve ku ata jetojnë, që sot duken si të braktisura, por që jam i sigurt se në sajë të këtyre dijeve e aftësive do të mund të ribëhen shumë shpejt qendra atraktive, sidomos për turistët e huaj ashtu sikurse ka ndodhur me Valbonën, Thethin, Currajn, Vermoshin apo me shumë rajone të tjera të Shqipërisë”.

“Vendi ynë ka potenciale të jashtëzakonshme për zhvillim në fushën e turizmit, agroturizmit apo shërbimeve. Nxitja dhe orientimi i të rinjve drejt këtyre degëve të ekonomisë duhet të jetë një prioritet i të gjitha strukturave shtetërore, sipërmarrjes dhe shoqërisë civile”, tha Meta.

Po ashtu presidenti theksoi se, “lidhja e shkollave profesionale me sipërmarrjen është e domosdoshme dhe duhet ta nxisim akoma edhe më tej, pasi përfitimi është i dyanshëm. Është e rëndësishme që ky bashkëpunim të kthehet në një normë pune dhe të mos mbetet i rastësishëm. Kjo do të sillte jo vetëm një planifikim më të mirë nga ana e shkollës në hapjen e kurseve të reja, që do t’i shërbenin sipërmarrjes, por do të sillte rritje të punësimit të të rinjve e të rejave, që mbetet një sfidë e vazhdueshme për ne”.

“Shqipëria është një vend, me potenciale të rëndësishme dhe pasuri e bukuri të jashtëzakonshme. Por vendi zhvillohet dhe begatohet jo thjesht nga dhuratat që na i ka falur Zoti, por në radhë të parë nga ndërgjegjësimi ynë për të rritur kapacitetet njerëzore dhe profesionale, për të krijuar një fuqi të kualifikuar dhe konkurruese jo vetëm për tregun lokal dhe kombëtar, por edhe për atë ndërkombëtar. Dhe këtu roli kryesor i mbetet arsimit profesional dhe të gjithë neve për t’i dhënë mbështetjen më të fortë këtij arsimi”, tha Presidenti Meta.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.