Mandati i 5 deputetëve të rinj, Kuvendi pranon raportin e KQZ-së

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Kuvendi ka pranuar sot raportin e KQZ dhënien e mandatit 5 deputetëve të rinj.

Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi dhe anëtarëve të tij, u mblodh sot Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të verifikuar mandatin e deputetëve të rinj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimet nr. 41,42,43,44 dhe 45 datë 11.03.2019 i ka dhënë mandatin e deputetit kandidatëve vijues të listave respektive: Lefter Maliqi, Elda Hoti, Edlira Hyseni, Ediola Braha dhe Majlinda Halilaj.

Si rezultat i dorëheqjeve të deputetëve opozitarë nga mandati i deputetit Kuvendi në mbështetje të nenit 164 të Kodit Zgjedhor i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për ta njoftuar për vakancat e krijuara.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, u shpreh dakord për vendimet e KQZ-së dhe do t’i paraqesë raportin përkatës seancës plenare.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.