Kryemadhi: Opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë

TIRANË, 12 mars/ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një takimi të zhvilluar me banorë të qytetit të Cërrikut theksoi se vendimi i deputetëve të opozitës për djegien e mandateve ishte një përgjigje pozitive ndaj vendimit që kanë marrë qytetarët shqiptarë.

Kryetarja e LSI-së hodhi poshtë pretendimet se opozita kërkon pushtet në tavolinë.

“Vendimi ynë për djegien e mandateve nuk kishte të bënte me një vendim politik për të marrë pushtetin në tavolinë. Është shumë e thjeshtë. Nuk duam as pushtet, nuk duam që të themi që të bëhet kështu siç themi ne. Po kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë: Dalja përpara përgjegjësisë e të gjithë atyre që u kapën me presh në dorë dhe e të gjithë atyre eksponentëve politikë të kujtdo partie qofshin duke blerë vota me krimin e organizuar”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit integrimi europian i vendit mbahet peng nga disa dosje hetimore, të cilat ende nuk kanë marrë zgjidhje.

“Dëgjojmë që thonë na duhet Reforma Zgjedhore se pa Reformë Zgjedhore nuk ka zgjedhje. Reforma zgjedhore, për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri është dosja 339 dhe dosja 184. Këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng zgjedhjet e lira dhe të ndershme të shqiptarëve, këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng Parlamentin shqiptar dhe këto janë 2 dosjet, të cilat mbajnë peng edhe të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve dhe integrimin europian. Prandaj ne jemi shumë të qartë në kërkesën tonë, dalja përballë drejtësisë e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë skemë, në skemën e vjedhjes, në skemën e shitblerjes së votës dhe në skemën e kërcënimit të qytetarëve me bandat e krimin e organizuar. Dalja e këtyre njerëzve përballë drejtësisë do të çlironte dhe nuk do të lejonte më asnjë njeri që t’i shkonte ndërmend të krijonte një funksion të tillë shitblerjen e votës, apo përdorimin e krimit të organizuar për të ndryshuar pushtete dhe për të ndryshuar partitë politike në kutitë e votimit, të cilat mendohen dhe ne aspirojmë që të jenë kuti me vota të lira dhe të ndershme”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.