FOTO/ Zgjedhjet vendore, OSBE fushatë edukimi për votuesit romë dhe egjiptianë

TIRANË, 12 mars /ATSH/ – Duke marrë shkas nga afrimi i zgjedhjeve për pushtetin vendor dhe duke u bazuar në përpjekjet dhe arritjet e deritanishme, Prezenca OSBE-së në Shqipëri vendosi ta zhvillojë sërish fushatën e edukimit të votuesve për gratë dhe të rinjtë romë dhe egjiptianë në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Fushata synon t’i ndërgjegjësojë edhe më fort gratë dhe të rinjtë romë dhe egjiptianë mbi rëndësinë e votës së tyre, duke i nxitur që të marrin pjesë në votime, duke i njohur me mjetet në dispozicion gjatë procesit të votimit, si dhe duke i inkurajuar ata që të luajnë një rol më aktiv në jetën politike të vendit.

Fushata paraprihet nga trajnimi i 20 moderatorëve të rinj romë dhe egjiptianë, të cilët më pas do të zhvillojnë kurse përgatitore votimi me pjesëmarrjen e grave dhe të rinjve nëpër komunitetet rome dhe egjiptiane anembanë vendit. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.