482 milionë lekë dyshohen si të padeklaruara në tatime

TIRANË, 12 mars/ATSH/ – Komisioni për Sigurinë u mblodh sot, në drejtimin e kryetares Ermonela Felaj dhe u njoh me raportin e aktivitetit vjetor për vitin 2018, të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Për të paraqitur raportin e punës së këtij institucioni, ishin të pranishëm Arlind Gjokutaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPPP, drejtorë dhe specialistë të tjerë të kësaj drejtorie.

Gjokutaj u shpreh se viti 2018, ka qenë një vit sfidë për DPPPP, për shkak të angazhimit në procese të rëndësishme si vlerësimi nga Komiteti Moneyval, përfshirja dhe kontributi i dhënë në disa taskforca e plane veprimi, rritja e volumit të analizës së rasteve të dyshimta etj.

“Sa i përket procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Komiteti Moneyval i KIE – vendi ynë finalizoi procesin e vlerësimit (raundi i pestë) nga Komiteti Moneyval, për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, përshtatshmërisë ligjore, etj. DPPPP ka pasur një rol koordinues e udhëheqës në këtë proces, i cili përfshinte angazhimin e një sërë institucionesh publike e të pavarura”, – theksoi në fjalën e tij Gjokutaj.

Sa i përket bashkëpunimit me autoritet doganore, vijoi më tej Gjokutaj, “kemi një bashkëpunim me tendenca në rritje. Dërgim prej tyre i një numri të qëndrueshëm rastesh të dyshimta, 49 në vitin 2018, kundrejt 46 të një viti më parë”.

“Gjithashtu, vlen të përmendet bashkëpunimi me autoritet tatimore”, vijoi raportimin Gjokutaj. “Nga rastet e sinjalizuara nga DPPPP, janë dërguar në total 17 raste për vlerësim tatimor dhe vlera e dyshuar si e padeklaruar është 482 milionë lekë, nga të cilat janë dërguar 7 raste për kallëzim penal”, tha Gjokutaj.

Vlen të evidentohet edhe rritja e bashkëpunimit të DPPPP me organet e zbatimit të ligjit dhe ato të inteligjencës. “Viti 2018, theksoi në këtë kuadër Gjokutaj, shënoi një rritje me 10% të rasteve të dyshimta që subjektet e ligjit kanë raportuar në DPPPP, krahasuar me 2017″.

Për raportin e paraqitur, por edhe për çështjet që u ngritën prej diskutimeve të deputetëve, komisioni do të përgatisë një projektrezolutë për t’ia përcjellë më pas, seancës plenare për miratim. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.