Punësimi në 2018: Papunësia ra në 12,3% në tremujorin e fundit

TIRANË, 11 mars/ATSH/ – Në tremujorin e katërt të vitit 2018 papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin 12,3%, ndërsa punësimi u rrit më tej me 1,4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Kryetari i Komisioni të Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj ka publikuar të dhënat e punësimit të Institutit të Statistikave (INSTAT) rreth punësimit, duke shtuar se është konsoliduar shkalla e punësimit në 60%, e cila është nga më të lartat në rajon sikurse ka vlerësuar në vazhdimësi edhe Banka Botërore.

“Anketa tremujore e forcave të punës, publikuar sot nga INSTAT, tregoi sërish efektivitetin e politikave të ndërmarra gjatë vitit që shkoi, në favor të zhvillimit ekonomik dhe nxitjes së punësimit. Në tremujorin e katërt 2018, papunësia vazhdoi rënien duke kapur nivelin 12,3%, ndërsa punësimi u rrit më tej me 1,4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke konsoliduar shkallën e punësimit në 60%, nga më të lartat në rajon, sikurse ka vlerësuar në vazhdimësi edhe Banka Botërore”, shprehet Ahmetaj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.