Basha: Heqja e taksës mbi naftën, shton energjitë në ekonomi

TIRANË, 11 mars /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vazhduar sot turin e tij në qytetin e Korçës, ku ka premtuar heqjen e “taksës Rama” mbi naftën, si dhe iu ka bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së 16 marsit në Tiranë.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Basha tha se kemi një qeveri që është shkëputur nga njerëzit dhe nuk sheh problemet e tyre.

“Kemi një qeveri që është shkëputur nga njerëzit. Nuk dëgjon njerëzit. Sa herë vij këtu, keq e më keq. Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “taksën Rama” mbi naftën me 300 lekë që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët. Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lekë. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lekë në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve, do të rrisë çmimin dhe qarkullimin”, tha ai.

Më tej, Basha tha se ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, vetëm një taksë 0,5% për biznesin, nuk bëhen realitet pa larguar qeverinë e kapur në vjedhje.

“Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lekë të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël. Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qendrore bashkë. 0,5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të konsiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh. Ulje e çmimin të naftës, ulje të çmimit të energjisë dhe 0,5% taksë e xhiros vjetore”, tha ai.

Po ashtu, Basha theksoi se “pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju, asgjë nuk bëjmë dot. Më 16 shkurt qytetaria e Korçës të zbresë në Tiranë në protestë”. j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.