Bashkia e Tiranës vijon punën në terren, rehabilitohen trotuaret e urës tek Brryli

TIRANE, 11 mars/ATSH/- Të gjithë banorët e zonës së Brrylit në kryeqytet, tashmë do të kenë trotuare të rehabilituara në urën që lidh dy akset përkrah lumit Lana.

Falë punës së Bashkisë Tiranë, trotuari në urën tek Brryli i është nënshtruar rikonstruksionit, për t’i ofruar këmbësorëve një hapësirë më të përshtatshme dhe të sigurt.

“Ka shumë punë për të bërë në Tiranë. I kemi marrë një nga një, që t’i bëjmë një herë e mirë. Ura tek Brryli kishte nevojë për trotuar, kështu që ekipi punoi që këmbësorët të kenë kënaqësi të shfrytëzojnë çdo hapësirë të qytetit”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes Rrugë Ndriçim Sinjalistikë – DPN2, përmes një postimi në “Facebook”, duke përcjellë edhe foto nga puna në terren.

Sakaq, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimin e gjithë zonës përgjatë lumit të Lanës, nga Brryli deri në Shkozë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.