Standarde të reja te Dispanceria, flasin pacientët 

TIRANË, 10 mars/ATSH-Z.Tosku/ – Klinika e specializuar për sëmundjet e mushkërive në Tiranë, apo siç njihet ndryshe Dispanceria, është transformuar në një klinikë model sipas  standardeve europiane.

Prej më shumë se dy dekadash, qendra e vetme e këtij lloji në vend e cila ofron shërbim të specializuar për rreth 800 mijë banorë, nuk ka pasur asnjë investim dhe nuk ofronte as analizat bazë.

Nga 3 analiza që kryheshin më parë, tani kryhen 16 te tilla.

Te pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, pacientë dhe qytetarë  shprehen të kënaqur me kushtet e reja që ofron Dispanceria.

“Nga çfarë kanë qenë më parë, tani kushtet janë shumë të mirë, një luks i mirë, pastërti, një pritje, diskuton më mjekun”.

“Ambienti është i mirë. Ka ndryshim mjaftueshëm mendoj unë në krahasim me çfarë ishte”, thotë një tjetër pacient.

“Shërbimi është ndërgjegjësuar në të vërtetë. Në krahasim më ato që ishin më parë, kushtet janë shumë mirë tani. Më parë, kushtet ishin të pakënaqshme. Tani është bërë goxha punë dhe puna ecën normalisht.  Jemi shumë të kënaqur me punën që është bërë dhe me atë që po bëjnë”, tha për ATSH-në një tjetër pacient. 

Nga ana e saj, drejtoresha e Dispancerisë, Entela Nako thotë për ATSH- se investimet e kryera kane përmirësuar cilësinë e shërbimit dhe mundësojnë kryerjen e një sërë analizash të specializuar për banorët.  Më parë kushtet kanë qenë shumë të këqija, si në cilësi ashtu edhe në kohë për pacientin. Më krijimin e shërbimit të radiologjisë dixhitale i ka ardhur fundi radhëve të gjata të pritjes, plus që pacientët tashmë po vijnë të planifikuar. Vijnë përmes sistemit elektronik”, tha Nako për ATSH.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.