Hyjnë në fuqi shtesat dhe ndryshimet për normën e kompensimit të fermerëve

TIRANË, 10 mars/ATSH-Z.Tosku/ – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit se janë publikuar në Fletoren Zyrtare shtesat dhe ndryshimet për normën bazë të interesit të fermerëve për udhëzimin “zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, të ndryshuar”.

DPT ka përmendur disa nga ndryshimet kryesore të këtij udhëzimi:

Norma e kompensimin për fermerët dhe TVSH-ja e shënuar në faturë nga grumbulluesi aplikohet në masën 6%. Personi i tatueshëm blerës, krediton kompensimin prej 6%.

Fermeri, për të përfituar nga skema e kompensimit duhet të regjistrohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore për t’u pajisur me NIPT brenda dy ditësh pune. Drejtoria Rajonale Tatimore pajis me certifikatë NIPT-i fermerin, duke shënuar si emër “Fermeri A.B.” dhe NIPT-in që gjeneron sistemi.

Shoqëria grumbulluese që merr furnizimin, përpara se të lëshojë faturën e parë në emër të fermerit, duhet të njoftojë Drejtorinë Rajonale Tatimore përkatëse që është aplikues i skemës së kompensimit të fermerit duke i bashkëngjitur dhe marrëveshjen me fermerin.

Në lidhje me mënyrën e plotësimit të faturës tatimore, fermerët duhet të konsultohen me shembullin në pikën 2 të nenit 11 të udhëzimit.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.