Veseli: Takim i rëndësishëm me zyrtarin amerikan

PRISHTINË, 9 Mars /ATSH/- Kryetari Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bën të ditur se me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale, bashkë me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj, sot kishin një takim të rëndësishëm.

“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe ky përkushtim tashmë është konfirmuar edhe përmes miratimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit, Platformës dhe Delegacionit Shtetëror për Dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shprehet kryeparlamentari kosovar

Ai vijon se, qytetarët tanë i siguroj se Dialogu do të përfundojë me rezultat të qartë, që i siguron Kosovës njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB, pa cënuar në asnjë mënyrë sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit tonë.

“Në takim, theksova se qëllimet e Kosovës mund të arrihen vetëm duke ruajtur dhe duke fuqizuar partneritetin e përjetshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Po ashtu, z. Hale i shpreha qëndrimn tim të vendosur që për asnjë arsye nuk do të lejoj rrezikimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve dhe se veprimet tona të ardhshme do të jenë të koordinuara me SHBA-të”, shkruan Vesli.

Për takimin me zyrtarin amerikan të zhvilluar në rezidencën e Ambasadorit të SHBA në Kosovë, Philip Kosnett, edhe kryeparlamentari ka njoftuar përmes rrjetit social ‘facebook’ sikur edhe presidenti dhe kryeministri./b.j/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.