Vakanca, KQZ mblidhet të hënën për dhënien e 6 mandateve të opozitës

TIRANË, 9 mars /ATSH-I. Vata/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet të hënën për dhënien e mandatit  nga lista shumëemërore të deputetëve të PD-së në qarkun Berat, Tiranë dhe Korçë dhe të LSI-së në qarkun Lezhë, Durrës, Gjirokastër.

KQZ do të shqyrtoj projektvendimin për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatëve të listës shumëemërore të Partisë Demokratike, pas vakancave të krijuara nga dorëzimi i mandateve të Astrit Veliaj (Berat), Gent Strazimiri (Tiranë), Klevis Balliu (Korçë).

Po ashtu, KQZ do të japë mandatin e deputetit kandidatit të listës shumemërore të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim pas vakancave të krijuara nga dorëzimi i mandateve të Viktor Tushaj (Lezhë), Nora Malaj (Durrës), Vangjel Tavo (Gjirokastër).

Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë projektvendimin për regjistrimin si subjekt zgjedhor të “Partia Uniteti Kombetar”,  “Partia Socialiste e Moderuar”, “Partia Emigracioni Shqiptar” dhe “Partia Kombëtare Konservatore Albania” për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019.

Gjithashtu, KQZ do të shqyrtoj projektvendimin për verifikimin e deklarimeve në formularin e vetëdeklarimit të kandidatëve nga listat shumëemërore për këshillat Bashkiak, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”./m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.