Subashi: Investimet në Fier sipas modelit të zhvillimit multidimensional

TIRANË, 9 mars /ATSH/- Gjatë këtyre 3 viteve e gjysmë, kemi pasur një vizion të qartë dhe kemi realizuar me punë e përkushtim dhe me mbështetjen e qeverisë, projekte dhe vepra në shërbim të qytetarëve dhe vendit, si asnjëherë më parë, që ishin lënë në harresë nga qeverisja e mëparshme.

Kështu u shpreh sot kryetari i Bashkisë së Fierit, Armand Subashi, gjatë aktivitetit “Bashkia që dua” që u zhvillua në Fier, me pjesëmarrjen e kryeministrit të vendit Edi Rama.

Duke sjellë në vëmendje investimet që sot janë të prekshme dhe realitet për qytetarët, Subashi tha se, “të gjitha këto i kemi realizuar me sukses se kemi pasur një aleat vizionar që i ka dhënë formë reale zhvillimit, kemi pasur mbështetjen e qeverisë dhe të Kryeministrit të vendit Edi Rama”.

“Biem dakort të gjithë”, iu drejtua ai pjesëmarrësve qytetarë e fermerë që kishin mbushur sheshin e Fierit në këtë aktivitet, “që gjatë kësaj periudhe ia kemi ndryshuar faqen bashkisë tonë, ndërsa disa prej projekteve kanë qenë plagë prej vitesh të parealizuara”, theksoi ai.

“Projekti më fantastik, vijoi ai, është ai i “Rilindjes Urbane”, shembulli më tipik që transformoi qytetin e Fierit në një model të zhvillimit bashkëkohor. Sot të gjitha akset dytësore në qytet janë rikonstruktuar me të gjitha standardet dhe kanë ndryshuar pamjen e qytetit duke bërë realitet investime në infrastrukturë dhe vepra të ndryshme, gërmadha të dikurshme. Sot qendra e kulturës është kthyer në galeri të artit, ku gëlon jeta atistike e qytetit”- tha Subashi.

Kreu i Bashkisë Fier, u ndal në një aspekt tjetër të rëndësishëm ku investimet kanë transformuar shkollat dhe kopshtet me kushte më të mira dhe standarde bashkëkohore. “Në sistemin arsimor kemi rikonstruktuar mbi 40 shkolla dhe kopshte dhe kemi një situatë të re zhvillimi”, tha ai.

Në prioritet të punës sonë, vijoi ai, është zhvillimi i infrastrukturës urbane dhe rurale. “Të gjithë i mbajmë mend rrugët rurale të kthyera në gangrene për të gjithë qytetarët, sot 3 rrugët rurale kryesore janë ndërtuar plotësisht ndërsa është rehabilituar Unaza e qytetit Fier, si një model i zhvillimit më të mirë”, tha Subashi.

“Rikonceptimi i qendrës së qytetit Fier dhe lumit Gjanica mbi bazën e projekteve sipas modelit ndërkombëtar do ti japin një vlerë të shtuar qytetarëve, vendit dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve. Së shpejti nisim punimet në pjesën tjetër të lumit Gjanica, ndërsa do të bëjmë Pallatin e Sportit dhe do të vijojmë me projekte të tjera në sektorë të tjerë. Në fokus të punës tone janë fermerët dhe fshat. Bujqësia e lënë në haresë të plotë ndër vite sot është pjesë e projekteve konkretet të qeverisë dhe bashkisë. Ne për here të pare kemi arritur të pastrojmë dhe rehabilitojmë mbi 500 km kanale kulluese dhe vaditëse duke i rikthyer fermerët të punojnë token dhe të prodhojnë. Brenda pak viteve ujitja e kullimi nuk do të jetë më problem për fermerin në Fier”, tha Subashi.

“Si rrallë ndonjëherë kemi pasur një sinergji të qeverisë që na ka bërë bashkë të realizojmë gjithë këto projekte në shërbim të qytetarëve dhe vendit”, u shpreh Subashi, ndërsa theksoi se “ne Fierit duhet t’i marrim maksimumin e zhvillimit në shërbim të të mirës së jetës së qytetarëve tanë”. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.