Manastirliu: Mbrojtje dhe riintegrim të grave në jetën normale

Manastirliu: Mbrojtje e menjëhershme për gratë viktima të dhunës

TIRANË, 8 mars/ATSH/ Me ndryshimet në ligjin për “Masat kundër dhunës në marrëdhëniet familjare”, gratë do të marrin urdhër të menjëhershëm mbrojtje për t’u strehuar në institucionet e përkujdesit.

Urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje do të marrin edhe fëmijët pavarësisht nëse ndaj tyre është ushtruar dhunë ose jo.

Kjo u komunikua sot nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila vizitoi Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

E shoqëruar nga personazhe të njohur të ekranit dhe kinematografisë, Manastirliu bashkëbisedoi me gratë që marrin shërbime në qendër, ku vuri theksin te riintegrimi i tyre në shoqëri.

“Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje shërben si një vend, ku fillon ndryshimi i jetës për secilën nga viktimat e dhunës në familje, pasi ato mbështeten me ofrimin e shërbimeve cilësore dhe me standarde, duke pasur si prioritet fuqizimin e grave dhe integrimin e suksesshëm në jetën normale të viktimave të dhunës në familje”, – deklaroi ministrja.

Gjatë vitit 2018 janë trajtuar 90 raste, nga të cilët 34 gra, së bashku me 56 fëmijë.

/m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.