Kreditë bankare, BSH rregulla për t’i ardhur në ndihmë huamarrësve

TIRANË, 8 mars /ATSH/ – Janë shumë qytetarë që aktualisht paguajnë këstet e kredive të marra prej vitesh. Por në rastet kur ata ndodhen në pamundësi për të paguar, rrezikojnë që banka të marrë pronën e lënë si garanci, apo të vejë dorë mbi çdo pasuri tjetër në pronësi të tij.

Në lidhje me këtë çështje, Banka e Shqipërisë ka parashikuar rregulla që i vijnë në ndihmë huamarrësve.

Kështu në këto raste është mundësia e ristrukturimit të kredisë. Së pari i jep mundësi huamarrësit të kapërcejë me sukses vështirësitë financiare dhe të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij. Po kështu, shmang efektet negative sociale dhe makroekonomike, të cilat mund të shkaktohen nga ekzekutimi i një numri të madh pasurish të patundshme. Ndërkohë, mosmarrëveshja zgjidhet më shpejt dhe lejon rikuperimin e një përqindjeje më të lartë të borxhit.

Huamarrësi dhe banka duhet të diskutojnë në lidhje me shkaqet e pagesave të prapambetura dhe pozitën financiare të huamarrësit, si dhe çdo perspektivë për rifillimin e pagesave.

Huamarrësi duhet të paraqesë dokumentacionin e kërkuar për të mbështetur kërkesën e tij për ristrukturim.

Klienti duhet të japë informacion mbi të ardhurat e rregullta dhe burime të tjera financiare, llogaritë e kursimit, investimet, kushtet aktuale të punësimit, burimet e të ardhurave shtëpiake, perspektivat e punësimit etj., për të siguruar vlerësimin e duhur të gjendjes financiare të tij. Po kështu, ai duhet të informojë bankën nëse ka kredi tjetër të marrë apo çfarëdolloj detyrimi financiar.

Gjatë negociatave të ristrukturimit, banka nuk nis procedurën  për  ekzekutimin  e  kolateralit ose, nëse e ka nisur, e ndërpret këtë procedure.

Nëse banka beson se është në dobinë e huamarrësit të ristrukturojë kredinë, atëherë ajo duhet të krijojë kushtet e nevojshme për huamarrësin për të negociuar ristrukturimin. Banka duhet të lejojë një periudhë ngrirje mbi procedurat gjyqësore, apo ato të ekzekutimit të kolateralit. Në varësi të situatës, ngrirja nuk kalon 45 deri në 90 ditë nga data e aprovimit me shkrim të huadhënësit për fillimin e negociatave të ristrukturimit. e.xh/e/caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.