TIRANË, 8 mars/ATSH/ “Progresi i bërë nga Shqipëria në reformat e ndërmarra është i dukshëm”, deklaroi sot deputeti i parlamentit të Bavarisë, Tobias Gottardt, në një takim me disa deputetë të Partisë Socialiste.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Gottardt zhvilloi një takim me Mimi Kodhelin, kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, Ulsi Manjën, kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, dhe deputetin e PS-së Musa Ulqini.
Pasi vlerësuan bashkëpunimin, ndihmën dhe mbështetjen që qeveria gjermane i jep Shqipërisë në proceset demokratizuese dhe në procesin e integrimit, deputetët e njohën Gottardt me ecurinë e reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare dhe e garantuan për vijimësinë e tyre.
Ata garantuan se Reforma në Drejtësi ka dhënë rezultatet e para dhe se të tjera rezultate pozitive pritet të vijnë.
Kodheli dhe Ulqini e njohën deputetin gjerman me gatishmërinë e mazhorancës për dialog dhe për bashkëpunim me forcat e tjera politike, për të bërë të mundur kapërcimin e tensionit të situatës së tanishme politike në vend.
Ndërsa deputeti Manja e informoi mbi Reformën në Drejtësi, procesin e vetingut dhe rezultatet e para të tyre.
Gottardt shprehu mbështetjen e tij në hapat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit të klasës politike për kapërcimin e problemeve të brendshme politike.
Ai u ndal në çështjet e integrimit të Shqipërisë në BE, ecurinë e reformave, u ndal konkretisht në ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe kërkoi të mësonte më tepër për secilën prej çështjeve, përfshirë këtu situatën politike në vend dhe zhvillimet e saj të fundit.
Gottardt u takua me deputetët e Kuvendit të Shqipërisë pas disa takimeve të tjera me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, me studentë, si edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
/m.m/e.caushi/
