Incidenti në Urgjencën Kirurgjikale, reagon QSUT

TIRANË, 7 mars/ATSH/ – Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka dënuar dhunën e ushtruar kundrejt mjekes specializante të Klinikës së parë të Kirurgjisë V. Z, gjatë ushtrimit të detyrës në Urgjencën Kirurgjikale.

QSUT thekson se “një person i dehur, i papërgjegjshëm, i afërm i një pacienteje e cila po merrte shërbim mjekësor, ka dhunuar mjeken dhe më pas është konfliktuar edhe me forcat e rendit, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre në shërbimin e Urgjencës Kirurgjikale. Fatkeqësisht ky nuk është një rast i izoluar por është rast i përsëritur, që mjekë dhe infermierë të spitalit tonë dhunohen në krye të detyrës. Drejtoria e QSUT edhe një herë dënon aktin e dhunës të ushtruar ditën e djeshme ndaj personelit mjekësor dhe u bën thirrje organeve kompetente të zbardhin ngjarjen dhe autorët të marrin dënimin e merituar. Një apel të fortë i bëjmë opinionit publik, të mirëkuptojnë dhe përkrahin bluzat e bardha gjatë punës së tyre, të cilët pavarësisht situatave të krijuara, në asnjë rast nuk neglizhojnë misionin human, atë të dhënies së ndihmës së parë dhe shpëtimin e jetëve njerëzore”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.