Felaj: Me djegien e mandateve opozita tradhëtoi zgjedhësit e saj

TIRANË, 7 mars /ATSH/- Opozita ka kryer një “vetëvrasje” politike duke braktisur Kuvendin, duke tradhëtuar zgjedhësit e saj.

Kështu u shprehe sot, deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj, në një intervistë televizive lidhur me zhvillimet politike në vend, ndërsa theksoi se, “djegia e mandateve është një zgjedhje e opozitës”.

“Mazhoranca është e hapur për dialog dhe i ka bërë ftesë publike opozitës për dialog. Por nëse Partia Demokratike vendos të dalë nga sistemi demokratik dhe pluralist, sigurisht që sistemi do të vazhdojë të qëndrojë dhe do të jenë ato që nuk do të jenë më pjesë e sistemit”, – tha Felaj.

Shteti në vetvete theksoi ajo, janë institucionet. “Institucionet vijojnë të funksionojnë normalisht, të gjitha pushtetet legjislativë, ekzekutivë dhe drejtësia vijojnë të funksionojnë normalisht. Kështu që dalja e opozitës së vjetër, që më duhet ta quaj kështu tani në kushtet që ka djegur mandatet, pasi ka një lëvizje tjetër, ka opozitar të rinj që po futen në Parlament nuk e pengon absolutisht legjitimitetin e Parlamentit për sa kohe ne kemi qoftë shumicën e thjeshtë, qoftë shumicës masive”.

Ajo solli në vëmendje mungesën e opozitës në Kuvend edhe para 7 muajve, por kjo tha Felaj nuk e cënon punën e Kuvendit.

“Kjo opozitë vendosi vetë të mos jetë opozitë. Dhe më vjen mire që ka njerëz brenda opozitës që kanë pranuar mandatet dhe ju do të shihni që në ditët në vijim, kjo pjesë e mungesës së opozitës, nuk ka për të qenë më problem”, – deklaroi Felaj.

“Këshilli i Rregullores dhe Mandateve ka zëvendësuar kandidatët e dorëhequr të opozitës sipas ligjit”, – tha Felaj.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.