Djegia në bllok e mandateve minon në mënyrë serioze integrimin në BE

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ “Vendimi i anëtarëve të opozitës për të djegur mandatet parlamentare në bllok minon në mënyrë serioze rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian”.

Kështu deklaroi sot gjatë një konference për shtyp në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson.

“Është fatkeqësi që Shqipëria sot gjendet në kurth, nga të themi një pasiguri dhe një mungesë stabiliteti politik. Të gjitha forcat politike në vend duhet të marrin vendime të përgjegjshme, të cilat do ta lejojnë Shqipërinë që të vazhdojë të japë rezultate në lidhje me reformat”, tha ai.

Danielsson theksoi rëndësinë që pasiguria duhet tejkaluar në mënyrë urgjente dhe jeta normale demokratike e vendit duhet restauruar.

“Parlamenti është shtyllë e shtetit, motori i çdo demokracie të pjekur dhe duhet të jetë vendi ku dallimet ose diferencat politike diskutohen dhe çohen përpara. Ndaj duhen krijuar kushtet për një dialog konstruktiv në Kuvend”, tha ai.

Danielsson ritheksoi thirrjen që u bë para disa ditëve nga zv/Presidentja e Komisionit dhe përfaqësuesja e lartë, Federica Mohgherini, që ky bojkot i Kuvendit është kundërproduktiv dhe minon përpjekjet e reformave të Shqipërisë.

Në përfundim, Danielsson uroi që thirrja që ka bërë sot për të restauruar një mjedis më konstruktiv politik, të dëgjohet dhe që zhvillimet të shkojnë në këtë drejtim, pasi kjo do të ishte mirë për Shqipërinë dhe rrugëtimin e Shqipërisë në BE.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.