Tare: Më shumë përgjegjësi për imazhin e vendit tonë

TIRANË, 6 Mars /ATSH/ – “Unë mendoj që gjëja e duhur e opozitës është që të rikthehet në Parlament. Sepse vetëm aty mund të diskutohen problemet që kemi”, deklaroi Drejtori i Sportiv i Lazio-s dhe ish-futbollisti i Kombëtares Igli Tare, gjatë emisionin “Porta a Porta” tek Rai 1 të gazetarit Bruno Vespa ku i ftuar ishte Kryeministri Edi Rama.

Duke iu referuar edhe deklaratës së tenorit të famshëm Saimir Pirgu, Tare tha se duhet të jemi shumë të përgjegjshëm për imazhin e vendit tonë.

“Unë lexova para dy ditësh, intervistën e një artisti të famshëm shqiptar që tha, në një prej këtyre protestave që u zhvilluan para pak ditësh, dogjën një gomë makine para Parlamentit, dhe ai u shpreh se i duhet të zhvillojë 200 koncerte për të pastruar imazhin jashtë vendit. Të njëjtën gjë mendoj edhe unë, se duhet të jemi shumë të përgjegjshëm sepse jemi një komb që ka vuajtur shumë. Populli jonë meriton vërtetë diçka të mirë, jemi pro Europës, jemi një vend në rritje me një zhvillim të mirë dhe problemet duhet t’i zgjidhim në shtëpinë tonë por me përgjegjësi të madhe”, tha Tare.

“Në fakt nuk bëj pjesë në atë brez i cili erdhi në Itali, edhe unë e pata këtë eksperiencë duke shkuar në Gjermani, para së të vija këtu në ’92, duke hyrë fshehurazi për të arritur suksesin. Ishte gjithmonë një ëndërr e imja të vija të luaja në Itali, dhe me kalimin e kohës ia dola ta realizoja këtë ëndërr, dhe gjendem me të vërtetë shumë mirë këtu. Në të njëjtin moment nuk jam një person që dua shumë politikën, por dua shumë vendin tim, dhe kjo gjë që po ndodh në Shqipëri për ne që jemi larg nga vendi ynë, nga populli ynë. Është shumë i rëndësishëm imazhi që ne po i japim vendit. Ne (shqiptarët e Italisë) po përpiqemi të bëjmë pjesën tonë këtu, jashtë Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë presim që njerëzit atje të jenë më të përgjegjshëm, sepse rritja ekonomike që është bërë vitet e fundit është shumë e rëndësishme, dhe duhet të jemi shumë të përgjegjshëm që të japim një sinjal të fortë mbi një botë të tërë mbi këtë rritje”.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.