Pezë/ Qendra shëndetësore e rehabilituar, shërbim me standarde për 5600 banorë

TIRANË, 6 mars/ATSH/-Qendra shëndetësore e Pezës i është nënshtruar rikonstruksionin, duke ofruar kushte të përmirësuara dhe një standard të ri shërbimi për 5600 banorët e Pezës.
“Rehabilitimi i kësaj qendre është pjesë e programit të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë vendin. Por ky nuk është vetëm një program që siguron kushte më të mira të infrastrukturës por edhe shërbime të integruara, me programet parandaluese dhe shërbimet bazë të kujdesit parësor, pa burokraci, me përdorimin e recetës elektronike dhe referimit elektronik, që kanë shkurtuar me 3 herë, kohën e pritjes për shërbimet e specializuara për qytetarët” – u shpreh ministrja.
Duke u ndalur te programet parandaluese, Ministrja Manastirliu bëri një ftesë për të gjitha gratë. “Si asnjëherë më parë, programet parandaluese për gratë janë në fokus të politikave tona shëndetësore. Jemi në muajin Mars, në muajin e grave, ndaj gjej rastin të bëj një lutje për çdo grua, të gjejë pak kohë për t’u kujdesur për shëndetin e saj. Të kryejë kontrollin mjekësor bazë, testin falas për depistimin e kancerit të qafës së mitrës dhe mamografinë falas”, tha Manastirliu.
Gjatë gjithë muajit Mars vijon ofrimi i mamografisë falas në të gjithë vendin, jo vetëm në spitale por edhe përmes mamografëve të lëvizshëm, kryesisht në zonat rurale.
“Rreth 17 mijë gra kanë kryer mamografinë vetëm në 1 vit.  Është dyfishuar numri, nëse flasim për shifrat e vitit 2017 apo më herët, çka tregon për një rritje të ndërgjegjësimit për të kryer në kohë mamografinë, por edhe për zgjerimin e mundësisë për ta kryer atë në spitalet rajonale, ku janë instaluar 5 mamografë të rinj” – ka deklaruar Manastirliu. z.tosku/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.