Kryemadhi: Djegia e mandateve shkaktoi debate brenda opozitës

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një interviste në një studio televizive u shpreh se vendimi për djegien e mandateve ka shkaktuar debate edhe në radhët e opozitës.

Kryemadhi pranoi se mes LSI-së dhe PD-së ka patur debate të forta për këtë vendim, por sipas saj “pasi mbetën pas një rrugëzgjidhje institucionale në betejën me qeverinë pranuan këtë vendim”.

“Ideja e djegies së mandateve për herë të parë është artikuluar nga zoti Berisha. Më pas është mbajtur si rritëm nga analistët dhe nga mediet. Për hir të së vërtetës kemi pasur shumë debate midis LSI-së dhe PD-së për djegien e mandateve. Dhe erdhëm në momentin që ramë dakord të dyja palët pasi ne konsumuam çdo element institucional”, – u shpreh kryetarja e LSI.

Në lidhje me kritikat e eurodeputetëve që erdhën në Tiranë, kryetarja e LSI-së deklaroi se “Zotërinjtë të cilët kanë qenë iu ka mbaruar mandati i tyre, hyjnë në një proces zgjedhor tjetër. Nuk e dimë nëse do të rikandidojnë më. Procesi integrim i Shqipërisë, tashmë nuk është më në dorë të Komisionit Europian, është në dorë të parlamenteve të vendeve anëtare”.

Kryemadhi thekson se opozita po menaxhon më së miri protestat, madje ajo shkon dhe më tej teksa thotë se do të largohet nga politika, nëse Edi Rama mbledh kaq shumë njerëz në shesh sa opozita.

“Edi Rama nuk rrëzohet duke bërë ne protesta paqësore. Në po sensibilizojmë opinion publik. Unë jam e gatshme dhe unë tërhiqem automatikisht nëse zoti Rama mbledh të njëjtët qytetarë që mblodhi opozita në 16 shkurt. Iki nga politika”, – theksoi Kryemadhi.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.