Hyseni: Mazhoranca pro dialogut me opozitën. Nuk diskutojmë parimet bazë të demokracisë

Hyseni: Misioni i mazhorancës është që të kënaqë popullin dhe jo opozitën

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni i ftuar në një studio televizive u shpreh se mazhoranca është e hapur për të dialoguar me opozitën, por jo për të diskutuar parimet bazë të demokracisë, në të cilat mbështetet shteti ligjor.

Duke theksuar se të gjithë drejtuesit e PS-së janë të hapur për dialog me opozitën, Hyseni u shpreh se në tavolinë janë shumë reforma mjaft të rëndësishme për t’u diskutuar, duke veçuar këtu reformat integruese.

“Ne jemi të hapur. Kryeministri ka shtrirë dorën e dialogut. Të gjithë drejtuesit e PS-së janë shprehur hapur për dialog. Kemi shumë tema për të diskutuar, temën e madhe të integrimit, jemi në një fazë shumë të rëndësishme, ku në Qershor mund të ketë një rivlerësim nga KE, ku mund të jemi një derë larg integrimit. Kemi nevojë për dialog për Kodin Zgjedhor, për çështje në përgjithësi, e shumë tema të tera. Duhet të bëjmë me dije se me dialog nuk nënkuptojmë të negociojmë principet e demokracisë, parimet bazë mbi të cilat mbështet shteti ligjor, shtet i cili me vështirësi të shumta të këtij tranzicioni mendojmë se është konsoliduar. Këtë nuk e themi vetëm ne, por edhe partnerët tanë që na monitorojnë në çdo fazë”, – tha Hyseni.

Pasi e cilësoi rrugën që ka zgjedhur opozita duke djegur mandatet, si të mbrapshtë, deputeti socialist u shpreh se të drejtën për të qeverisur ose jo, ta jep vetëm populli.

“Besoj si ai zotëri, apo të tjerë janë njerëz që pavarësisht se janë në krahun tjetër kanë vlera, vlera që mund t’i shërbenin Shqipërisë në këto momente dhe në vijim, por nëse zgjedhin të përkrahin teori të tilla që lënia e mandateve është një mekanizëm i cili do i bëjë qeveritë më të përgjegjshme janë totalisht të papërgjegjshme. Mandatin ta jep populli nuk ke të drejtë ta vlerësosh t’i e mbaj s’e mbaj. Nëse zgjedh të shkosh para popullit duhet të kesh këllqe. Këta nuk kanë këllqe, këta zgjodhën rrugën e mbrapshtë”, – tha Hyseni.

Hyseni tha gjithashtu se mazhoranca misionin e saj e ka të kënaqë popullin dhe jo opozitën. Sipas tij, opozita po përgatitet për zgjedhje në Qershor. Për të djegia e mandateve është kryer në një moment ku ata nëpërmjet sondazheve kanë kuptuar që do dalin më keq se në zgjedhjet e kaluara, duke i cilësuar si të papërgjegjshme deklaratat e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi për djegien e mandateve.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.