FOTO/ Muzeu Etnografik, dëshmi e shtëpive tipike gjirokastrite

TIRANË, 6 mars /ATSH/ – Në kuadër të programit “Edukimit Nëpërmjet Artit dhe Kulturës” si dhe nismës “Të njohim monumentet”, DRKK Gjirokastër në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri”, organizuan një orë të lirë në “Muzeun Etnografik”.

Nxënësit u njohën me historikun e monumentit, një godinë tre katëshe e cila daton në shekullin e XIX. Shtëpia është djegur aksidentalisht në vitin 1913 dhe ka ngelur gërmadhe për rreth 54 vite, deri në 1967. Ajo që ka shpëtuar nga ajo kohë është një qilim, një jorgan , ora e murit si dhe sepeti të cilat janë ekspozuar në ambientet e brendshme të saj.

Shtëpia u rindërtua në vitin 1967 dhe në të u përmblodhën të gjitha karakteristikat e shtëpive tipike gjirokastrite. Pasi u rindërtua, ajo shërbeu si muze i luftës nacionalçlirimtare dhe pas viteve 1997 ajo u kthye në “Muze Etnografik”. Kjo shtëpi është monument i kategorisë I dhe është një nga shtëpitë më të vizituar sot nga turistët. 

/a.a/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.