Veliaj i dhuroi presidentit Pahor “Çelësin e Tiranës”

TIRANE, 5 mars/ATH/-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në një takim Presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit mes Tiranës dhe qyteteve sllovene, si dhe organizimin e samitit të nivelit të lartë të Brdo-Brijunit që do mbahet në maj në Tiranë, ku të pranishëm do jenë krerët e shteteve të rajonit, si dhe drejtuesit e lartë të BE-së. 

 Veliaj falenderoi presidentin Pahor për vizitën dhe theksoi se krahas bashkëpunimit mes shteteve, i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi mes qyteteve, si ofruesit e parë të shërbimeve për qytetarët. “Jam i lumtur që jeni në Tiranë. Është e mrekullueshme të kesh shtete që punojnë së bashku, kombe që punojnë së bashku, por mendoj se në kohët moderne është gjithashtu e rëndësishme që qytetet të punojnë së bashku, sepse besoj që njerëzit spikasin në jetën publike nëpër qytete, spikasin në Ljubljanë, spikasin në Tiranë”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës. 

Në shenjë mirënjohje dhe miqësisë që ekzistojnë mes dy shteteve tona, Veliaj i dhuroi presidentit Pahor “Çelësin e Tiranës”, si simbolikë se është gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri.

Presidenti Pahor shprehu mirënjohjen për vlerësimin e bërë nga Bashkia e Tiranës dhe theksoi se Samiti i Brno-Brijunit do jetë një mundësi shumë e mirë prezantimin e vlerave evropiane të Shqipërisë. “Shumë faleminderit zoti Kryebashkiak! Ishte kënaqësi të bisedonim së bashku dhe shoh mundësinë të takohemi edhe njëherë tjetër në pak muaj. Tirana do të mirëpresë Samitin e Brno – Brijunit, krerët e shteteve do jenë këtu, të ftuar nderi, përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, ndaj do të jetë një moment emocionues për Ballkanin Perëndimor. Unë shpresoj se do jetë i mirëorganizuar dhe procesi politik do jetë në rrugë të mbarë”, tha presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. 

Objektivi kryesor i procesit Brdo-Brijunit është mbledhja e të gjithë presidentëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenia dhe Kroacia, për të forcuar dialogun politik, për të rritur nivelet e besimit dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe rajonale të pazgjidhura.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.