Macovei: Shqipëria po përparon drejt BE-së, opozita ka tradhtuar votuesit e saj

TIRANË, 5 mars/ATSH/ – Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, Monica Macovei e ka cilësuar sjelljen e opozitës si të gabuar, sjellje e cila sipas saj pengon të ardhmen europiane të vendit.

Në reagimin e saj Macovei thekson se Shqipëria po përparon me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, duke vlerësuar avancimin në Reformën në Drejtësi.

“Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, unë besoj fuqishëm se Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE dhe zbatimin e axhendës së reformave të BE. Unë besoj se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet Macovei.

Por sipas saj, veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë.

“Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane. Kjo është edhe më e rastësishme duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe vendimin e ardhshëm për të hapur apo jo negociatat e pranimit”, shton Macovei.

Macovei i ka bërë thirrje opozitës që të rikthehet në Kuvend.

“Parlamenti shqiptar duhet të jetë platforma e vetme për diskutim politik. Deputetët e opozitës kanë tradhtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre dhe kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me BE. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE / ODHIR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare është plotësisht legjitime”, thuhet në reagimin e saj. /e.c/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.