TIRANË, 4 mars/ATSH-Z.Tosku/ – Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara, jo vetëm do të nxisë rritjen e të ardhurave të fermerëve, por do të ndikojë edhe në plotësimin e detyrave të shtëpisë që i janë lënë Shqipërisë, në kuadër të zhvillimit rural për shpejtimin e procesit të integrimit.
I ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte Drejtori i Zyrës së FAO-s në Shqipëri, Arben Kipi i cili theksoi se falë kësaj marrëveshjeje do të thellohet bashkëpunimi për të përshpejtuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Një nga komponentët e kësaj marrëveshjeje do të jetë pikërisht mbështetja e Ministrisë së Bujqësisë në procesin e integrimit, në kapitujt e integrimit në BE. Kapitulli 11 është një nga kapituj kryesor ku ne do të fokusohemi, bujqësia dhe zhvillimi rural. Aty janë të përcaktuara mirë të gjitha detyrat e shtëpisë që do të ketë Shqipëria për integrim dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, në mënyrë që ta përshpejtojmë sa më shpejt të jetë e mundur këtë proces”, – tha Kipi.
Por, cilat janë sektorët prioritarë që mbështet kjo marrëveshje?
“Ajo mbështetet në tre sektorë prioritarë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Qeverisë Shqiptare si rritja e të ardhurave të fermerëve, kryesisht të fermerëve në zonat rurale të Shqipërisë, e dyta është rritja e standardeve të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, dhe e treta është procesi i integrimit, kapitujt e integrimit që ka bujqësia dhe zhvillimi rural në Shqipëri me Zyrën e Delegacionit të Bashkimit Europian. Këto janë tri fushat kryesore drejtë të cilave drejtohet mbështetja e FAO-s në Shqipëri”, – tha Kipi.
Më tej, ai sqaroi se një vëmendje e veçantë do të ketë kryesisht për të rinjtë që duan të zhvillojnë idetë e tyre në sektorin e agroturizmit.
Programi synon të nxisë punësimin, investimet dhe të ardhurat në zonat rurale dhe do të ketë një shtrirje 3-vjeçare.
z.tosku/e.caushi/