Hapet qendra Inovative në Mitrovicë, Veseli: Gjithmonë pranë rinisë së talentuar

PRISHTINE, 4 mars /ATSH/ -Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka iniciuar sot hapjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Mitrovicë.

Duke folur para qindra studentëve dhe profesorëve në Univeristetin e Mitrovicës ku do të jetë e vendosur qendra e inovacionit, Kryeprlamentari Veseli tha se çelësi i zhvillimit ekonomik qëndron tek sektori privat, tek industria prodhuese, tek ekonomia e dijes dhe shkathtësive teknologjike.

“Ky është vizioni ynë, vizioni më adekuat për ta çuar përpara vendin tonë, shtetin tonë, Mitrovicën tonë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se lajmi i sotëm është lajm që i ka hije Mitrovicës, këtij qyteti të punëtorëve e minatorëve, të studentëve e intelektualëve, të kulturës e të sipërmarrjes, të luftës për liri e të fuqizimit të shtetit.

“Ne kemi një rini të talentuar, që e do punën dhe të ardhmen në vendin e vet, një rini të dashuruar pas teknologjisë informative. Kudo ku ka ide të mira, aty do të jetë përkrahja jonë. Për ne të rinjtë janë forcë krijuese. Ne duam t’i shohim të rinjtë që me talentin e tyre, me dijen dhe përkushtimin e tyre, krijojnë zhvillim, krijojnë vende të reja të punës, bëhen sipërmarrës të lirë”, tha Veseli./e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.