2 mijë djem e vajza, pjesë e strukturave, Veliu: Policia, fytyrë më sociale

TIRANË, 4 Mars /ATSH/ – Policimi i kohëve moderne, kërkon polici inteligjente me njerëz inteligjentë.

Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Mema në eventin “Në nisje të Shkollës Bazë të Policisë dhe kursit për oficerë të Policisë Kriminale” është shprehur se të gjithë studentët fitues, do të kenë pranë tyre një staf akademik profesionistësh të kësaj Akademie, e cila do t’i pajisë me dije që do jenë të domosdoshme për t’u përballur me sfidat në punë.

“Gatishmëria juaj për t’u bërë pjesë e kësaj strukture është kontribut për të dhe nder për ju. Policimi i kohëve moderne, kërkon polici inteligjente me njerëz inteligjentë. Ky nder ju ofrohet juve me shpresën se një ditë do ta justifikoni këtë besim”, tha Mema.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shpreh se, është bërë rifreskimi i trupës policore, ku janë dy mijë djem e vajza që janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

Veliu evidentoi edhe rritjen e numrit të grave dhe vajzave në radhët e Policisë së Shtetit, të cilat sipas tij, “po rrisnin përfaqësimin e tyre. 50% e studentëve që do të vazhdojnë kursin profesional të policimit janë femra, kjo tregon që tashmë policia ka një fytyrë më sociale, më humane, më njerëzore”.

Veliu u shpreh se policia kërkon fuqizimin e shërbimit ndaj qytetarëve, prandaj në përmbushje të këtij prioriteti policia hapi konkurrimin dhe ftoi të rinjtë e të rejat që të konkurronin e të bëheshin pjesë e Policisë së Shtetit për të dhënë kontribut, pasi nga viti në vit, interesi ka qenë në rritje.

“Arsyeja kryesore e ekzistencës së organizatës tonë është shërbimi ndaj publikut. Ky proces do të përmirësohet më tej me synim forcimin e një trupe policore më të denjë dhe të aftë”, tha Veliu.

Veliu theksoi se ka pasur progres të dukshëm të rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit me rritje të parametrave të sigurisë si dhe goditja e krimit të organizuar.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.