Haradinaj: Serbia po pengon regjistrimin e aseteve të Trepçës

PRISHTINE, 3 mars/ATSH/- Edhe pse ligji për Trepçën është miratuar prej gati tre vjetësh dhe statuti i miratuar në Kuvendin e Kosovës muaj më parë, Beogradi zyrtar po bëhet pengesë për regjistrimin e aseteve të Trepçës si ndërmarrje publike.

Kryeministri Ramush Haradinaj i bënë thirrje minatorëve të Trepçës nga komuniteti serb që mos të bien pre e Beogradit zyrtar.

“Statuti është i aprovuar, tash është pjesa administrative, është në proces, mund të ndodhë në dy tre ditët ose edhe  javë. Pra, ajo që është risi, diçka e re dhe që është diçka e merituar, minatorët më nuk janë veç punëtorë, por janë edhe pronar të Trepçës. 20 përqind të aksioneve të përgjithshme të Trepçës janë të minatorëve, të shqiptarëve por edhe të serbëve në veri. I bëjë thirrje minatorëve të përkatësisë etnike serb të Kosovës, ta fitojnë të drejtën ligjore dhe të mos bien në ndikimin e Beogradit lidhur me statusin e tyre si aksionar”, tha Haradinaj.

Ndonëse, autoritet e Kosovës kanë rezervuar tre vende në bordin e Trepçës për komunitetin serb, udhëheqësit refuzojnë t’i japin përgjegjësi bordit të Trepçës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka theksuar se regjistrimi i aseteve që do të bëhet, parasheh inkuadrimin e minoritetit serb në bordin e Trepçës, ku tre vende nga nëntë, janë parashikuar për serbët.

Ai thotë se ka interes nga investitorët e huaj. “Ka një imazh të mirë sepse dihet për vlerën e resurset që gjenden në Trepçë. Deri tani, katër kompani kryesisht nga Kandaja, të cilët kanë shprehur interesim. Ka edhe kompani të tjera nga Turqia, tash isha në diskutim edhe me disa kompani nga Shtetet e Bashkuara. Prandaj, tërheqja e investitorëve nëse bëhet me një proces të mirë dhe transparent dhe të besueshëm nuk do të jetë problem për Trepçën”, theksoi ai. /kosovapress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.