Viktimë e një fature të padrejtë energjie, qytetari merr zgjidhje për 8 ditë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2229758533950737/

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Prej vitit 2011, Halim Llaha, ishte viktimë e një fature të padrejte energjie elektrike dhe megjithëse Enti Rregullator i Energjisë i kishte dhënë të drejtën për të anuluar këtë faturë, kjo ende nuk kishte ndodhur, duke i shkaktuar shqetësime të vazhdueshme në furnizimin me energji.

Kryeministri Edi Rama paraqiti sot këtë histori për të gjithë ata që mllefi i pengon të shohin realitetin.

“Mirëmëngjes dhe pa u mërzitur me disa që i kanë sytë për bukuri, po mllefi i pengon të shohin, e me vullnetin e palëkundur për t’iu gjendur pranë çdo njeriu të zakonshëm në nevojë për ndihmë, ju uroj një fundjavë të qetë”, tha Rama.

Pas 8 vitesh që nuk arrinte ta hiqte dot nga sistemi i OSHEE-së këtët faturë, qytetari vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe brenda 8 ditëve ai mori zgjidhje.

“Në tetor 2011 më vjen në shtëpi një faturë me gjobë 600 mijë lekë dhe thoshte mbifaturim. Nuk kishim dëgjuar ndonjëherë çfarë është se ne gjithë jetën kemi qenë shumë të rregullt me ligjin. Shkova te Kujdesi për Klientin dhe na thanë se kjo është futur në sistem dhe nuk hiqet më. Duhet ta paguaja dhe nëse kisha të drejtë nuk do të më faturonin deri në shlyerjen e asaj shume. Unë këtë nuk e quajta të drejtë dhe nuk e pagova”, tha qytetari.

Ai përshkoi gjithashtu edhe kalvarin e gjatë kur pas defekteve në rrjetin elektrik kishte probleme për rregullimin e tyre sepse figuronte në sistem me një faturë të papaguar, apo kur herë pas here vinin t’i prisnin energjinë elektrike.

“Iu drejtova ERE-s dhe më kthyen përgjigje duke dhënë urdhër që të anulohet menjëherë, por kjo nuk ndodhte dhe nuk e hiqnin nga sistemi”, tha ai.

Qytetari Llaha vendosi t’i drejtohej platformës së bashkëqeverisjes dhe brenda 8 ditësh, fatura e tij e padrejtë u hoq nga sistemi. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.