Ministri i Drejtësisë së Austrisë: Reforma në Drejtësi, premisë për anëtarësim të shpejtë në BE

TIRANË, 1 mars/ATSH/ – “Reforma në sistemin e drejtësisë po krijon të gjitha premisat që Shqipëria së shpejti të bëhet anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian dhe do të duhet që vetë shtetet anëtare të promovojnë rezultatet e reformave të ndërmarra nga Shqipëria”.

Kështu deklaroi ministri i Çështjeve Kushtetuese, Reformave, Derregullimit dhe Drejtësisë të Austrisë, Josef Moser, në takimin me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila po zhvillon një vizitë dyditore në Vienë.

Gjatë këtij takimi, u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi mes dy vendeve që do të rrisë kapacitetet e Ministrisë së Drejtësisë, veçanërisht në fushën e kodifikimit dhe hartimit të legjislacionit, duke përfituar nga eksperienca më e mirë austriake.

Gjithashtu, sipas marrëveshjes, Ministria e Drejtësisë do të asistohet në rritjen e kapaciteteve në fushë e statistikave gjyqësore, planifikimin dhe raportimin strategjik, si dhe në rritjen e standardeve dhe mekanizmave të kontrollit të brendshëm.

Gjonaj vlerësoi ndihmën dhe asistencën që ka dhënë ministri Josef Moser për zbatimin e reformave në Shqipëri.

Gjonaj nënvizoi se çdo reformë e ndërmarrë nga Ministria e Drejtësisë ka në brendësi një kontribut të vyer, dhe ekspertizë të Ministrisë së Drejtësisë së Austrisë, si dhe ekspertëve ligjorë austriakë.

Ministrja theksoi se Austria e ka përkrahur Shqipërinë në hartimin dhe zbatimin e disa reformave të cilat do të kontribuojnë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë së Austrisë Josef Moser vlerësoi ecurinë që ka bërë Shqipëria në reformimin e sistemit të drejtësisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes të dy ministritë do të fillojnë përgatitjet për hartimin e projekteve të përbashkëta që do të zbatohen në Shqipëri, për çështjet e sipërpërmendura të cilat do të financohen nga Bashkimi Europian./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.