EBA, Pacolli diskuton për partneritetin në ekonomi

PRISHTINË, 1 mars /ATSH/ – Gjatë pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të Republikës së Kosovës në sesionin e 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, që ka hapur punimet sot në Emiratet e Bashkuara Arabe, si vend pritës i këtij takimi, zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, zhvilloi disa takime me homologë të tij nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.

Pacolli, fillimisht është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

“Kënaqësi ta takoj mikun tim të mirë, ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan, dhe të diskutojë me të mbi marrëdhëniet e shkëlqyeshme, që gëzojnë Kosova dhe Emiratet e Bashkuara. Ne do ta forcojmë partneritetin tonë në ekonomi dhe tregti nëpërmjet projekteve konkrete, që do të jenë të dobishme për të dy vendet tona”, tha kryediplomati kosovar, Pacolli, pas këtij takimi.

Në margjina të sesionit të 46-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-it, ministri i Jashtëm, Pacolli është takuar edhe me homologun e tij nga Somalia, Ahmed Isee Awad, ministrin e jashtëm të Afganistanit, Salahuddin Rabbani, dhe me ministrin e jashtëm të Rumanisë, Teodor Melescanu. /KosovaPress//e.malaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.