Tregtia e mallrave, kryeson transporti detar me 55,6%

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/-Në muajin janar 2019, vlera e mallrave të tregtuara (eksport dhe import) shënoi vlerën 64 miliardë lekë, ku 55,6% e tyre u transportua me rrugë detare.

Instituti i Statistikave publikoi shifrat e transportit, ku thekson se sipas mënyrës së transportit, gjatë muajit janar mallrat e eksportuara me det zënë 65,9%, me rrugë tokësore 32,3% dhe me atë ajrore 0,3%.

Ndërsa mallrat e importuara me rrugë detare zënë 50,3%, me rrugë tokësore 39,0% dhe me atë ajrore 3,6%.

INSTAT bën të  ditur se mallrat e importuara me rrugë detare në janar 2019 janë ulur me 4,3% dhe me rrugë tokësore janë ulur me 7,3%, krahasuar me janar 2018.

Ndërkohë që volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte në muajin janar 2019 arriti në 296 mijë tonë.

Porti i Durrësit është pika kryesore e transportit detar shqiptar. Pozicioni shumë i favorshëm gjeografik e bën atë portin më të madh në vend dhe ndër më të mëdhenjtë në detin Adriatik dhe Jon, dhe një nyje shumë të rëndësishme për tregun ndërkombëtar.

Infrastruktura operacionale e Portit të Durrësit përbëhet nga 11 kalata. Mallrat kryesore që përpunohen në port janë mallrat e përgjithshme drithra, kontainer, tragete, minerale etj. Porti i Durrësit ka aktualisht 78% të tregtisë detare në nivel kombëtar.

Porti i Durrësit është gjithashtu një vendndodhje kyce për rrjetet e trageteve dhe tranzitin e pasagjerëve, duke i dhënë Durrësit nje pozicion strategjik në lidhje me Korridorin VIII, që do lehtësojë tranzitin e pasagjerëve dhe mallrave në kontinentin Europian.

Ndërkohë që Porti i Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës janë tre portet e tjera të vendit, me impak më të madh në transportin e pasagjerëve, por jo vetëm. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.