Spiropali: Delegacioni i PE foli troç, rrënoi pretendimet absurde të opozitës

TIRANË, 28 shkurt /ATSH-Gjergji Mima/ – “Delegacioni foli troç fare duke rrënuar pikë për pikë çdo pretendim absurd për qeverira tranzitore, parlamente jolegjitime. Nënvizuan nevojën për vazhdimin e jetës parlamentare dhe zëvendësimin ligjor të të arratisurve, duke ndarë me publikun disa të vërteta të thjeshta”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali, pas konferencës për shtyp të delegacionit të PE-së në Tiranës.

“Parlamenti dhe qeveria janë zgjedhur me votë dhe problematika e zgjedhjeve nuk e vë në asnjë diskutim rezultatin e tyre. Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe nocioni i qeverisë tranzitore është i pajustifikueshëm. Përgjimet i takojnë gjykatave, jo parlamentit. Bojkoti, dhuna dhe djegia e mandateve janë të papranueshme. Shqipëria ka bërë shumë rrugë drejt normalitetit dhe progresit dhe e ardhmja e saj nuk mund të merret peng”, tha Spiropali, referuar deklaratave të eurodeputetëve.

“Në emër të qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit u kërkojmë ndjesë atyre edhe për reagimet e papranueshme të ish-deputetëve të opozitës, të cilët fatkeqësisht janë arratisur, jo vetëm nga detyra duke tradhtuar zgjedhësit, por edhe nga terreni i të menduarit dhe të folurit normal duke iu dhënë krahëve të dëshpërimit, njerëz të dëshpëruar që mendojnë në mënyrë dëshpëruese dhe bëjnë gjëra të dëshpëruara”, tha Spiropali.

Sipas tyre, theksoi Spiropali, “Shqipëria qenka shtëpia e shqiptarëve dhe miqtë dhe partnerët e këtij vendi qenkan turistë me vështrim të mjegulluar. Ndërkohë që shqiptarët na qenkan vetëm ata që po dëmtojnë konsumin dhe ekonominë e familjeve me pasigurinë e krijuar prej retorikës së dhunës, e po e bëjnë copë Shqipërinë në sytë e botës me skenat e turpshme të goditjes me kokë të mureve të institucioneve”.

“Gjynah vërtetë. Gjynah, sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë këtë shfaqje konfliktualiteti dëmtues për hir të karrierës së Lulzim Bashës që i trembet humbjes së zgjedhjeve të radhës, për hir të frikës nga drejtësia që ka udhëheqja e opozitës. Gjynah sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë që në vitin 2019, opozita e tyre të flasë si të ishte viti 1919 dhe të sillet me miqtë dhe partnerët e këtij vendi si të ishte një organizatë e PPSH-së në ndonjë fshat të humbur. Gjynah sepse kjo është koha për të qenë bashkë kur vjen puna tek qëllimi kombëtar i çeljes së negociatave me BE-në dhe jo rasti për të bërë kamikazin që të hidhet në erë procesi i negociatave”, tha Spiropali.

Sidoqoftë, vijoi Spiropali, “opozitën nuk e zgjedhim ne dhe ne jemi këtu për të mbajtur dorën e shtrirë ndaj saj, edhe pse sot ajo është marrë peng nga disa persona që e kthyen grupin opozitar në parlament në një grup të arratisurish nga detyra”.

“Ndërkohë që ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që Parlamenti Europian vazhdon t’i japë vendit tonë dhe i falenderojmë eurodeputetët e djathtë dhe të majtë, pa asnjë dallim, për qëndrimin e tyre pa asnjë ekuivok në anën e shqiptarëve që shtëpinë e përbashkët e duan në Bashkimin Europian, jo në oborrin e Lulzim Bashës apo të Monika Kryemadhit. Përmes misioneve raportuese dhe mbikëqyrëse, po aq sa vetë Komisioni, i cili pa u ndalur ka vëzhguar me lupë dhe analizuar me themel procesin qeverisës dhe reformat në Shqipëri, eurodeputetët kanë kuptuar mirë çdo aspekt të progresit të vendit. Ata e dinë mirë se ne kemi ende shumë për të bërë, por nuk impresionohen nga propaganda e çartur opozitare dhe nga fabulat mediatike me skandale dhe përmbysje imagjinare”, tha Spiropali.

Duke e mbyllur, Spiropali tha se, “i bëj thirrje ish-kolegëve deputetë të reflektojnë dhe të mos humbasin më shumë se ç’kanë humbur. Jo se më shqetëson humbja e tyre, por sepse kjo që ata bëjnë në rrugën e humbjes së tyre nuk është e mira e kësaj shtëpie të përbashkët”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.