Punime me ritme të larta në bulevardin e ri “Ismail Qemali” në Vlorë

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/- Në Vlorë po vijojnë me ritme të larta punimet në bulevardin “Ismail Qemali”, një nga investimet më cilësore dhe të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në qytetin bregdetar.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, theksoi se “po punojmë fort me të gjithë faktorët, me të gjithë njerëzit që janë përfshirë në këtë projekt kaq të rëndësishëm në mënyrë që të kemi rezultatin më të mirë të pritshëm për bulevardin e Vlorës, në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik ta gjejë të plotësuar këtë arterie kryesore të qytetit”.

“Jemi duke koordinuar punën me firmën të cilën e falënderoj dhe jemi duke koordinuar tempin e punimeve që po realizohen. Aktualisht jemi në 100 metrat e fundit, sepse vazhdimi do të jetë deri tek Xhamia dhe do të përfshijë gjithë sheshin, rreth e rrotull Xhamisë”, nënvizoi Leli.

Sipas tij, ka ritëm të mirë punimesh në pjesën tjetër nga Kulaçi në Skelë.

Kreu i bashkisë së Vlorës u shpreh se “ka elementë që disa qytetarë në komente të ndryshme i kanë kontestuar për cilësinë e ndonjë shtrimi apo elementi tjetër. Ne jemi në diskutim me punonjësit e firmës për të riparuar çdo problematikë që shfaqet gjatë inspektimit të punimeve”.

Leli shtoi se jemi në kontakt me firmën për të korrigjuar problematikat.

“Po bëjmë të gjithë përpjekjet maksimale që sezoni turistik ta gjejë të përfunduar këtë projekt , ashtu si edhe shumë projekte të tjera që janë duke u zbatuar në territor”, tha Leli.

Projekti për rikualifikimin urban të bulevardit “Ismail Qemali”, në Vlorë filloi në pranverë të vitit 2018. Ai financohet nga Qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV”.

Në këtë bulevard po rehabilitohet e gjithë infrastruktura nënrrugore, ku janë duke u vendosur të gjitha kanalizimet dhe kanalizime rezervë, për mundësinë e shtrirjes së fibrave optikë, apo investimeve të tjera në të ardhmen duke pasur linja rezervë, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi që pa dëmtuar infrastrukturën e bulevardit të shtrijnë, si dhe të kenë akses për investime të reja.

Bulevardi “Ismail Qemali” shtrihet nga Vlora në Skelë. Historia e këtij bulevardi zë fill që në shekullin e XIX me një rrugë që lidhte qendrën e qytetin me bregdetin. Aty kalonte edhe një dekovil, që transportonte kripë nga kriporet e Vlorës deri në Port, por edhe udhëtarë, madje deri te tuneli në Ujin e Ftohtë në fillimet e shekullit XX.

/k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.