Agjencia Telegrafike Shqiptare

Patos/ Transformim tërësor i rrugës “Koli Marku”

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Mbi 1 mijë banorë të Patosit do të jenë përfitues direkt të ndërhyrjes për transformimin e arteries kryesore rrugore të qytetit, që do të mundësojë gjithashtu dhe shpërndarjen e trafikut të rrugës kryesore.

Punimet në këtë aks të rëndësishëm për qytetin kanë hyrë në fazë intensive ku po punohet përditë për të mbaruar brenda afatit rikonstruksionin e kësaj rruge.

Aktualisht, po shkohet drejt transformimit tërësor përgjatë gjithë segmentit të rrugës “Koli Marku”, i kthyer kështu në një nga arteriet kryesore të qytetit.

Projekti i financuar me fonde të bashkisë Patos në vlerën 72 milionë lekë me TVSH, do të mundësojë një dimension të ri të zhvillimit urban të qytetit, ku do të integrohen jo vetëm banorët, por edhe bizneset dhe institucionet lokale.

Projekti parashikon trotuar dekorativ, ndriçim Led, lulishte në sheshet e pallateve, kënde lojërash në sheshet e pallateve, mure mbajtëse, ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve dhe rivitalizim të gjithë segmentit.

Ndërhyrja totale prej 11200 m2, parashikon shtrimin e rrugës në 670 m gjatësi dhe 9-13 m gjerësi. /m.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version