Ankohet në platformë, zgjidh problemin e pensionit minatori nga Bulqiza

TIRANË, 27 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Platforma e bashkëqeverisjes zgjidh problemin e pensionit të minatorit nga Bulqiza.

Gjatë prezantimit të rasteve në platformën e bashkëqeverisjes, ku ishte kryeministri Edi Rama, koordinatorja prezantoi rastin e qytetarit nga Bulqiza të Nevruz Nikës i cili iu drejtua platformës pasi gjithë jetën e tij ka punuar si minator më shumë se 40 vite dhe pensioni nuk ishte në përputhje me punën e vështirë që kishte kryer.

“Pas ankesës së drejtuar në platformë, u vërtetua se në dosjen e pensionit ndodhej vërtetimi i pagës që nuk ishte marrë në konsideratë në momentin e caktimit fillestar të pensionit. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore, Dibër bëri sistemimin e pensionit dhe i ka akorduar Nikës diferencat për një periudhe trevjeçare”, tha koordinatorja.

Në fjalën e tij, qytetari Nika tha se “jam minator nga Bulqiza dhe kam punuar 35 vjet nëntokë. Kam që në muajin gusht dhe nuk më kanë dhënë asnjë përgjigje. Kemi një administratë gati me tetëvjeçare dhe na shohin ne si gogol”.

Më tej, Nika shtoi se dhe minatorë të tjerë janë si ai. “Falënderoj Kryeministrin dhe platformën që më zgjidhi problemin”, – tha Nika.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se i vjen mirë që është zgjidhur problemi dhe masa e pensionit është llogaritur siç duhet.

“Kjo është një arsye për t’ua thënë të gjithëve që është e vërtetë ajo që tha Nevruzi që shpeshherë në administratë ndeshesh me persona të padenjë, por sot nuk je më vetëm siç ke qenë gati çerek shekulli. Sot jemi në krah të kujtdo që ka nevojë për mik të vërtetë dhe një mik që varet jo nga lidhje e gjakut apo të xhepit, nga tesera në xhep por që është aty për të vendosur të drejtën në vend dhe kjo është platforma por edhe qeveria e Shqipërisë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve”, – tha Rama.

Me tej Rama shtoi se “shumëkush e përqesh, por edhe në Francë ka ankesa deri te faqja e presidentit ku qytetarët shkruajnë vetë për një hall apo problem që kanë me shtetin. Ne nuk kemi bërë asgjë tjetër, vetëm se kemi krijuar një mekanizëm të komunikimit të qytetarit në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Më vjen mirë që në këtë mënyrë janë korrigjuar pensionet e shumë pensionistëve dhe kanë marrë të drejtën e mohuar. Janë mijëra njerëz që kanë gjetur zgjidhje dhe janë qindra zyrtarë të ndëshkuar”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.