Xhaçka: Opozita, në tentativë të ulët ndaj gjithë shqiptarëve

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/- Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në fjalën e saj, gjatë seancës kuvendore, u shpreh se opozita është jashtë sallës së Kuvendit, pasi ka frikë nga Reforma në Drejtësi dhe për rrjedhojë i druhet përballjes me mëkatet e së shkuarës. Sipas saj, dhuna ndëshkohet dhe këtë e kemi parë dhe në skenarin maqedonas.

“Këta njerëz kanë frikë, se sot po bëhet funksionale Reforma në Drejtësi, me gjithë respektin për opozitarët e vërtetë, këtu sot nuk bëhet fjalë për qytetarët opozitarë, për sindikalistë, për studentë… etj. Jo! Fatkeqësisht nuk janë këta, pasi këta kanë të drejtë të protestojnë për një alternativë më të mirë qeverisëse, por bëhet fjalë për opozitën, apo më saktësisht një grupi njerëzish që i tremben mëkateve të kohës kur qeverisnin, dikush tetë vite, dikush katër vite”, – theksoi ajo.

“Kjo që po bën opozita sot, – tha Xhaçka, – është një tentativë tejet e ulët ndaj të gjithë atyre që përfaqëson dhe ç’është e vërteta, edhe ndaj gjithë shqiptarëve”, – theksoi Xhaçka.

Sipas saj, sot 90% e shqiptarëve duan drejtësi, dhe integrim drejt BE-së. Ministrja Xhaçka në ligjëratën e saj tha se dhuna ndëshkohet e për këtë solli në vëmendje ngjarjet në Maqedoni.

Në Kuvend, diskutohet miratimi i dy projektvendimeve, “Për miratimin e strukturës organizative të Këshillit të Lartë Gjyqësor” dhe “Për miratimin e strukturës organizative të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.