Shalsi: Shqiptarët presin të shohin efektet e Reformës në Drejtësi

Shalsi: Reformat e ndërmarra pas 2013-ës i kthyen identitetin institucioneve

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – “Një pjesë e politikës i trembet zbatimit të Reformës në Drejtësi”.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi nga foltorja e Kuvendit tregoi disa nga arsyet se përse partitë opozitare nuk e duan zbatimin e Reformës në Drejtësi, një reformë e cila sipas tij kërkohet nga të gjithë shqiptarët, të cilët mezi presin që të vendoset drejtësia.

“I shtrimë dorën PD për Reformën në Drejtësi, të gjitha këto reforma s’do ishin eficiente  pa atë të Drejtësisë. Shqiptarët kishin vite që lëngonin në një sistem të kalbur e të degraduar. Prej kësaj nevojë ulëritës të shqiptarëve për drejtësi, filluam Reformën në Drejtësi. E dinim që rruga s’do ishte e lehtë, pengesa të shumta, shkopinj nën rrota, sepse një pjesë e politikës nuk e donte, sepse mendonte dhe mendon akoma se do bjerë në rrjetën e Reformës në Drejtësi. Krerët e opozitës janë fajtorë ndaj shqiptarëve që mezi presin të shohin Reformën në Drejtësi të japë frytet e para”, – u shpreh Shalsi.

Për ministrin Shalsi nuk është një rastësi largimi i opozitës nga Kuvendi, në një moment kur por votohen strukturat e KLGJ dhe KLP, dy organe të rëndësishme për të çuar përpara zbatimin e Reformës në Drejtësi.

“Sot është një moment shumë i rëndësishëm, po konstituohen dy organe shumë të rëndësishme që i hapin udhën dhe shpien më tej Reformën në Drejtësi. Tashmë jemi në finalen e konsolidimit të Reformës në Drejtësi, nga e cila besojmë dhe shpresojmë që askush që ka bërë faje të rënda të mos i shpëtojë. Në këtë moment delikat opozita vendos të largohet nga Kuvendi. Siç po thoshte një demokrat, i cili e konsideronte tradhti të largohej nga PD, sot i konsideron si dezertorë, sepse janë larguar nga fronti i betejës, sepse s’kanë çfarë të thonë dhe s’dinë të dalin, ndaj kanë zgjedhur këtë rrugë pa krye. Shumë shpejt shqiptarët e dinë, që do i çojë drejtë humnerës kjo rrugë që kanë zgjedhur”, – u shpreh Shalsi.

Duke u ndalur te dhuna e opozitës në protestën që po zhvillohet përpara Parlamentit, Shalsi u shpreh se këto imazhe janë një copëz e Shqipërisë.

“Momentet që po kalojmë natyrisht që s’janë të lehta dhe imazhet që po përcjellin TV në këto moment pasqyrojnë një copëz Shqipëri. Dhe në fakt mendja të shkon: Pse po ndodhin, cila është arsyeja? A ka vërtetë bazë kjo që po bën një pjesë e krerëve të opozitës? Kokën e kthejnë në 2013 Shqipëria në prag të humnerës krizë financiare, fiskale, energjetike, bankare, ndërkohë që vendi kishte nevojë ulëritëse për reforma. Dhe pra filluam në 2013 të reformonim Shqipërinë. Filluam një numër të konsiderueshme reformash në arsim, në energji, të pensioneve, modernizuam vendin gradualisht nga sportele paçavure, i kthyem dinjitetin institucioneve”, – përfundoi Shalsi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.