Agjencia Telegrafike Shqiptare

MV – Përkujtohet 15-vjetori i vdekjes së Trajkovskit

SHKUP, 26 shkurt /ATSH-MIA/ – Përkujtohet sot 15-vjetori i vdekjes së ish-presidentit, Boris Trajkovski, i cili e humbi jetën në një aksident me aeroplan në afërsi të Mostarit.

Në Shkup, në varrezat e qytetit në Butel, në varrin e Trajkovskit do të vendosin lule anëtarët e familjes së presidentit, shumë delegacione si dhe qytetarë.

Në fatkeqësinë ajrore që ndodhi më 26 shkurt të vitit 2004 humbi jetën presidenti i ish-Republikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski dhe delegacioni prej tetë anëtarësh, i cili ishte për një konferencë ndërkombëtare në Mostar.

Për fatkeqësinë janë publikuar dy raporte, ku morën pjesë edhe ekspertë nga Shkupi.

Në të dy raportet, të cilët dallojnë nga njëri-tjetri, megjithatë, si shkak për rënien e avionit theksohen gabimet e pilotit dhe mangësi të tjera indirekte të sistemit.

‘’Shtatë procedura gjatë fluturimit nga ana e pilotëve dhe pesë gabime sistematike të institucioneve kompetente në ish-Maqedoni dhe në BH janë shkaqet për rrëzimin e avionit”, citohet në raportin e paraqitur nga Kuliç.

Në aksidentin ajror krahas presidentit Boris Trajkovski,  kanë humbur jetën edhe zëdhënësja Dimka Ilkova-Boshkoviq, këshilltarët Risto Bllazhevski dhe Anita Krishan Llozanovska, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Mile Kërstevski, truprojat Ace Bozhinovski dhe Boris Velinovski, si dhe piloti dhe bashkëpiloti Marko Markovski dhe Branko Ivanovski.  /os/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version