Mbi 12 milionë dollarë investime në Lushnjë në 5 vitet e fundit

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ – Mbi 12 milionë dollarë janë investuar gjatë 5 viteve të fundit nga qeveria shqiptare në bashkinë Lushnjë.

Kështu deklaroi sot kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, në takimin publik të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Në bashkinë Lushnje është investuar në infrastrukturë urbane dhe rurale, kopshte, çerdhe, blloqe pallatesh, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim. Ndërsa investimet nga qeveria janë investime madhore dhe nuk mund të lë pa përmendur këtu rrugën hyrëse nga Tirana, lagjen “Xhevdet Nepravishta”, lagjen “18 Tetori”, rrugën “Plasmas-Karbunarë, Unaza Bujqësore që i vjen në ndihmë ekonomisë rurale prej 11 km”, nënvizoi Tushe.

Gjithashtu, vijoi ai, në drejtim të pastrimit të kanaleve sot ndodhen nën ujë 15 mijë ha nga 9 që ishin muaj më parë, janë rehabilituar 260 km kanale ujitëse nga 360 në total, 400 km kanal kulluese nga 560 km që janë në total.

Kryetari i bashkisë së Lushnjes theksoi se “brenda 2019 do të pastrohen të gjitha kanalet kulluese, kjo falë edhe mbështetjes që Banka Botërore ka bërë në degën e Krutjes dhe është në proces proces tenderimi dega e Qukasit dhe Lushnjës”.

Tushe u shpreh se “pastrimi i kanaleve kulluese ka shtuar prodhimin e fermerëve dhe këtë e tregon hapja e 25 pikave të grumbullimit që ndodhen sot në bashkinë Lushnjë”.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2018 janë eksportuar 112 mijë tonë produkte bujqësore”.

Pritshmëritë tona, shtoi Tushe, janë edhe në drejtim të pajisjes me certifikatën e pronësisë së qytetarëve, që nuk po ecin siç duhet për shkak të mos azhornimit që ka në shumë zona, por edhe të mbivendosjes që ka me fermerët.

“Një tjetër investim që shumë shpejt do të nisë punë në bashkinë Lushnje është përfshirja e dy fshatrave Kolonjë dhe Krutje në projektin “100 fshatrat””, tha Tushe./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.