250 tableta për policët rrugorë, Veliu: Qëllimi, përgjysmimi i aksidenteve

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka shpërndarë të martën rreth 250 tableta për punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Veliu tha se objektivi i Policisë Rrugore, në sajë edhe të strategjisë së sigurisë rrugore për vitet 2011-2020 është dhe përgjysmimi i aksidenteve rrugore.

Veliu tha se në kuadër të qëllimit për të rritur edhe më tej sigurinë rrugore, për përgjysmimin e jetëve të humbura për shkak të aksidenteve vjen edhe iniciativa dhe pajisja e punonjësve të Policisë Rrugore me 250 sete (tabletë, printer dhe aksesorë), që është mundësuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke mundësuar që gjithë veprimet, që aktualisht bëhen manualisht nga punonjësit e Policisë Rrugore për plotësimin e masës administrative në bllokun e gjobës të hidhen në tabletë, përmes aplikacionit.

“Vënia në përdorim e këtyre pajisjeve rrit ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit të ofruar për qytetarët, njëherazi optimizon përdorimin e burimeve njerëzore nga Policia e Shtetit, pasi 80-90% e fletëgjobës plotësohet automatikisht. Sapo vendoset targa e automjetit të dhënat plotësohen automatikisht nga aplikacioni, gjoba ruhet direkt në sistem, duke eliminuar kohën e hedhjes manuale dhe duke kursyer burimet njerëzore, si dhe duke evituar gabimet gjatë hedhjes në sistemin e gjobave. Po ashtu qytetarët do të kenë mundësi të paguajnë vlerën e gjobës online përmes e-Albania”, bëri të ditur Veliu.

“Gjithashtu punonjësit e policisë kanë mundësi që përmes aplikacionit të shohin drejtpërsëdrejti në sistem dhe të bëjnë verifikimet për debitorët, siguracionet, mjetet e vjedhura dhe personat në kërkim, pra veprime që më parë bëheshin nga Salla e Komandimit tani i ka në dorë vetë punonjësi i policisë”, sqaroi ai.

Veliu tha se siguria rrugore nuk i përket vetëm policisë, por ajo nis që prej bankave të shkollës, edhe më tej te forcimi rregullave për marrjen e lejes së drejtimit.

“Siguria rrugore nuk mund të vendoset vetëm nga Policia Rrugore, por duhet të fillojë që në bankat e shkollës me njohjen dhe edukimin me rregullat dhe kulturën rrugore, e deri tek marrja e Lejes së Drejtimit që duhet të jetë një proces më i gjatë, më i kompletuar, që në fund të tij të certifikohen drejtues mjetesh të aftë nga ana teorike dhe praktike”, tha Veliu.

Ai shtoi se pavarësisht kësaj, puna e Policisë Rrugore ka dhënë rezultate pozitive. “Falë veprimeve vendimtare në nivel lokal dhe kombëtar nga Policia Rrugore, është bërë përparim i dukshëm në drejtim të uljes së numrit të të vrarëve gjatë aksidenteve rrugore. Numri i vdekjeve në rrugë u zvogëlua me rreth 18% në vitin 2017, në raport me vitin 2016 dhe i njëjti trend në rënie është evidentuar edhe gjatë vitit 2018”, tha drejtori i Policisë së Shtetit.

“Në “Strategjinë e Sigurisë Rrugore 2011-2020”, është përcaktuar dhe vendosur që të punohet për reduktimin me 50% të aksidenteve rrugore me pasojë humbjen e jetës së përdoruesve të rrugës. Në vitin 2011, numri i shtetasve që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve ishte 322, në vitin 2018, falë edhe punës së Policisë Rrugore ky numër u reduktua në 213 shtetas që kanë humbur jetën në aksidente rrugore”, vijoi Veliu.

“Treguesit e arritur vitet e fundit, sidomos periudha 2013-2018 na bën të jemi optimistë në këtë drejtim. Aktualisht Shqipëria ka kaluar nga një shifër prej 110 të vrarë për 1 milion banorë në vitin 2011, në 101 të vrarë për 1 milion banorë në vitin 2013 dhe në 62 të vrarë për 1 milion në vitin 2017. Në vitin 2011, kanë vdekur nga aksidentet 322 persona dhe në këtë vit ka ulje prej 8,5% më pak të vdekur se në vitin 2010. Në vitin 2017, janë evidentuar 222 viktima nga aksidentet rrugore, ose 17,4% më pak të vdekur se në vitin 2016. Në vitin 2018 është evidentuar një ulje e numrit të vdekjeve në rrugë me 9 të vrarë më pak ose 4,1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017”, tha Veliu.

“Në Shqipëri krahasuar edhe me treguesit e vendeve të BE-së, konstatohet se përfshirja e motoçikletave dhe biçikletave në aksidente rrugore për vitin 2018 ka zënë 18% të totalit, këmbësorët 17%, çka i bën përdoruesit e dobët të rrugës një kategori për të cilët duhet të orientohen politika me të sigurta në projektimin e rrugëve, në edukimin dhe tyre dhe në ndëshkimin e shkeljeve rrugore”, shtoi ai.

Sipas tij, treguesit e arritur gjatë vitit 2018, në funksion të parandalimit të aksidenteve dhe në mënyrë të veçantë të atyre me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e personave, kanë pësuar një rënie të ndjeshme kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2017, ku janë evidentuar 260 aksidente rrugore më pak se në vitin 2017, 9 të vrarë më pak ose 4,1 % më pak, 51 të plagosur rëndë më pak ose 14% dhe 260 të plagosur lehtë më pak ose 12,8% më pak.

“Në sezonin veror 2018, janë pezulluar 230 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 401 Leje Drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe 253 Leje Drejtimi për parakalime të gabuara. Ndër shkaqet kryesore të aksidenteve për vitin 2018 janë evidentuar: Në 41% të rasteve aksidentim këmbësorësh; Në 16% të rasteve drejtim mjeti pa leje drejtimi; Në 8% të rasteve tejkalim i normave të shpejtësisë; Në 6% të rasteve parakalim i gabuar; Në 5% të rasteve drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe në 4% të rasteve përdorim i celularit”, theksoi Veliu.

“Për sa i përket grupmoshave të përfshira në aksidente, nga statistikat rezulton se më shumë se 3000 të rinj vdesin çdo vit në aksidentet rrugore në BE. Në Shqipëri në vitin 2018 numri më i madh i aksidenteve në rrugë ka ndodhur nga drejtues mjeti të moshës 25-44 vjeç”, sqaroi Veliu.

Duke vijuar me shifra, Veliu bëri të ditur se, gjatë vitit 2018, janë pezulluar 23.022 Leje Drejtimi si dhe janë arrestuar 1372 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ndërsa gjatë vitit 2017, janë pezulluar 15.610 Leje Drejtimi, si dhe janë arrestuar në flagrancë 1561 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Drejtori Veliu bëri të ditur se policia ka fokusuar luftën e saj edhe në drejtim të korrupsionit, ku gjatë dy viteve të fundit është mundësuar arrestimi i rreth 106 personave, pasi kanë tentuar të korruptojnë punonjës të Policisë Rrugore. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.