Xhaçka: Me Maqedoninë e Veriut në NATO, rajoni do të jetë më i sigurt

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 25 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Ministrja Olta Xhaçka gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut u takua me Kryeministrin Zaev, Kreun e Kuvendit Talat Xhaferri dhe homologen Shekerins. Vizita e ministres Xhaçka në Maqedoninë e Veriut, është e para e një ministri Mbrojtjeje që pas firmosjes së protokollit të anëtarësimit të vendit me NATO-n.

Shekerisnka, Zaev e Xhaferri vlerësuan ratifikimin e protokollit nga Shqipëria vetëm pak ditë pas nënshkrimit në Bruksel, si dhe konfirmuan forcimin e bashkëpunimit veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Gjatë takimit me homologen e saj, ministren Sekerinska, Xhaçka tha se është vërtet një lajm i bukur, që pas një rrugëtimi kaq të gjatë, me kaq shumë vështirësi, tashmë jeni vetëm një hap larg anëtarësimit me të drejta të plota në familjen më të madhe politike dhe ushtarake të historisë moderne.

“Nënshkrimi i Protokollit të Anëtarësimit në NATO nga Republika e Maqedonisë së Veriut është vërtet një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne. Nga sot, i gjithë rajoni do të jetë më i sigurt, me më shumë stabilitet, dhe unë jam e bindur, që të gjithë së bashku mund të shohim drejt së ardhmes me më shumë optimizëm”, tha Xhaçka në deklaratën e përbashkët për media.

“Shqipëria e ka parë gjithmonë stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë së Veriut si një nga kushtet kryesore për të garantuar sigurinë e rajonit. Në fakt, mbështetja e palëkundur ndaj fqinjëve tanë në këtë proces të vështirë ka qenë një nga objektivat kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme”, shtoi ajo.

“Është kjo arsyeja përse Shqipëria ishte një nga vendet e para që e ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Dhe është kjo arsyeja përse arritjen e fqinjëve tanë, ne shqiptarët, por edhe të gjithë ata që duan paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, e përjetojmë si një fitore të përbashkët”, tha Xhaçka.

“Arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë, por edhe miratimi i ndryshimeve ligjore që realizuan një nga pikat më të rëndësishme të “Marrëveshjes së Ohrit”, atë të përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut, janë padyshim vendime që kërkonin guxim”, tha ministrja Xhaçka.

“Unë ndihem shumë mirë që faktori shqiptar, politik dhe qytetar, luajti një rol aq konstruktiv, duke u kthyer në një nga promotorët e këtyre zhvillimeve e arritjeve të jashtëzakonshme që keni shënuar në muajt e fundit”, shtoi ajo.

“Sot, pa asnjë dyshim, janë krijuar rrethanat dhe një klimë shumë më e favorshme edhe për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si një nga kushtet kryesore të integrimit të vendit tuaj në strukturat euroatlantike, që do të jetë në vëmendjen tonë të përhershme”, vijoi në fjalën e saj Xhaçka.

“Është e vërtetë, që pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Nato, i gjithë rajoni ynë është më i sigurt se kurrë më parë nga kërcënimet e jashtme. Por sigurisht, që kemi ende shumë punë për të bërë për të modernizuar vendet tona, për t’i europianizuar ato, dhe për të realizuar atë që është objektivi më i rëndësishëm strategjik për të gjithë ne, anëtarësimin në Bashkimin Europian”, nënvizoi Xhaçka. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.