“Njerëz të padukshëm”, kush është 50-vjeçari nga Erseka që ndërtoi një jaht

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/321883201866859/

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Një 50-vjeçar nga Erseka ka ndërtuar një biznes fitimprurës duke shndërruar ëndrrën në pasion. Flamur Bilo, ose siç njihet ndryshe në Kolonjë, Luli, është i pari ndërtues i jahteve dhe mjeteve lundruese në vendin tonë.

Përmes rubrikës “Njerëz të padukshëm”, Kryeministri Edi Rama sjell këtë histori frymëzuese suksesi, ndërsa më herët vetë kreu i qeverisë kishte vizituar punishten e mjeshtrit Bilo në Kolonjë.

Duke treguar për pasionin e tij, Bilo tha se “zakonisht ne kërkojmë atë që na mungon dhe në mal, na mungon deti”. Kjo ishte shtysa kryesore, për të thënë që do të ndërtojmë një barkë për të qenë më afër asaj që na mungon, tha ai.

“U bëra promotor i kësaj sipërmarrje për të ndërtuar qoftë edhe barka me vela që në Kolonjë është pak e vështirë për ta besuar po nuk e pe. Pjesa e zbukurimeve të sipërme të barkës bëhet me dru afrikan që i reziston lagështirës, i reziston kripës. Barka ka banjo, ka kuzhinë, ka ndriçim, ujë të ëmbël dhe dy shtretër, e përshtatshme për dy çifte. I ka të gjitha kushtet”, tha Bilo.

Ndërsa prezanton punën e tij, Bilo shprehet se “ky është jahti jonë që ne e kemi ndërtuar me duart dhe familjet tona”.

“Në këtë punishte unë kaloj ditë të gjatë sa nuk ngopem dot, sikur të ishin dy ditë bashkë do më dukej si një ditë e vogël. Problemi më i madh që kemi hasur gjatë ndërtimit ka qenë se zakonisht barkat punohen të kthyera përmbys dhe gjithë këtë objekt të madh duhet ta kthesh pa e dëmtuar dhe gërvishtur”, tha ai.

Bilo tha se askush nuk e ka besuar se dikush nga maja e Gramozit mund të shkojë në Orikum me barkën e ndërtuar nga duart e tij.

Kjo barkë, sipas Bilos, mund t’i shërbejë një personi që nxjerr në det për të shëtitur turistë të huaj dhe vendas dhe është një biznes absolutisht fitimprurës./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.