Lojërat e fatit, procedohet një shtetas në Lushnjë

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Policia e Shtetit po vijon kontrollet në të gjithë vendin për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundraligjshëm të lojërave të fatit.

Konkretisht, në Lushnjë është proceduar penalisht 1 shtetas për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Po ashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, 6 monitorë dhe 1 laptop që shërbenin për lotari sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, proceduan në gjendje të lirë shtetasin J.K., 40 vjeç. Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi në Ngurrëz të Madhe, në ambientet e lokalit në administrim të tij, ushtronte aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit deri në ndëshkimin me ashpërsi të subjektit të fundit që ushtron këtë aktivitet antiligjor.

Policia e Shtetit fton këdo të denoncojë falas në numrin 112, ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.