Basha: Vazhdojmë betejën për zgjedhje të lira

TIRANË, 25 shkurt/ATSH-A.Fortuzi/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbrëmjen e sotme se “asnjë përpjekje fasadë nuk e shpëton Kryeministrin nga përgjegjësia ligjore për vjedhjen e zgjedhjeve”.

Në një deklaratë për mediet pas takimit me kryetarët e degëve, Basha tha se po përgatitet arrestimi i kryetarit të bashkisë Durrës, Vangjush Dako.

“Orët e fundit janë intensifikuar me lajme se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Dosja “339” faktoi se ai dhe zyrtarë të tjerë janë kapur duke vjedhur vota. Për të mos e arrestuar, Rama flijoi Fatmir Xhafajn”, – tha Basha.

Ai shtoi se qytetarët kanë marrë në dorë tashmë fatin e tyre.

“Ftoj të gjithë faktorët ndërkombëtarë të shohin me kujdes çfarë po ndodh në këtë vend”, – tha Basha, duke shtuar se qytetarët janë të gjithë të qartë, duhet një qeveri tranzitore për të vijuar betejën për zgjedhje të lira e të pa kapura nga krimi. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.